Duro: Nuk vendosin premiot, por loja në fushën e blertë

0

Elton Nika

Tetë javë nga fundi dhe Flamurtari do të kërkojë në çdo ndeshje maksimumi. Përballë Luftëtarit në transfertë do të kërkohet padyshim fitorja, ndërkohë që trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro e cilëson një përballje të vështirë, por sipas tij llogaritë duhet të bëhen në çdo ndeshje dhe në fund të kampionatit. Kështu është shprehur trajneri i vlonjatëve në intervistën për “Sport Ekspres”, teksa shpreson që sot në Gjirokastër të marrë një fitore që do u bënte shumë punë vlonjatëve në luftën për mbijetesë.

Profesor Duro, përballë do të keni Luftëtarin. Është kjo nga ato ndeshjet që duhet fituar doemos?

Në çdo takim ne duhet të mendojmë pikërisht kështu dhe të kërkojmë maksimumin . Pas humbjes në Vlorë me Skënderbeun, tifozeria, por edhe klubi e të gjithë ne pa përjashtim, kërkojmë të rikthehemi te rezultati pozitiv, ku fitorja është ajo që do të na japë qetësi, por edhe më shumë moral në vazhdimësi. Megjithatë, duhet të shohim se është një ndeshje e vështirë, përballë një kundërshtari që ka bërë mjaft mirë deri më tani në kampionat. As ata nuk do të lejojnë të pësojnë një tjetër rezultat negativ. I dimë potencialet tona dhe do të kërkojmë, pse jo maksimumin në këtë përballje shumë të rëndësishme, por edhe të vështirë.

Nëse nuk fitohet, a mund të themi që pozitat rëndohen gjithmonë edhe më shumë?

Unë e kam thënë se llogaritë bëhen vetëm në fund të kampionatit. Ashtu si ne, edhe dy-tre skuadra të tjera qëndrojnë me laps në dorë për të bërë llogaritë e tyre. Di të them se deri në javën e fundit çdo gjë do të jetë me laps në dorë. Do të ketë llogari nga çdo skuadër. Ne duhet të shohim vetëm rrugën tonë, pra mbi të gjitha ndeshjet tona, ku duhet të marrim maksimumin në këto përballje dhe, më pas të shohim kundërshtarët. Gjithsesi, unë vijoj të besoj në faktin se lufta do të jetë e egër dhe shumë e fortë deri në javën e fundit të kampionatit. Pra, do të luftohet në çdo ndeshje deri në fund dhe besojmë se gjithçka do të vendoset në fushën e lojës.

Si ndikon te skuadra fakti që është vendosur një premio për fitoren?

Klubi dhe drejtuesit kanë qenë korrekt me ne dhe natyrisht që këto premio të vendosura tani, apo më mirë të themi një mbështetje më shumë, që bëhet për të motivuar edhe më shumë skuadrën. Presidenti, apo edhe klubi, kanë qëndruar pranë skuadrës dhe ky motivim bëhet natyrisht që lojtarët të japin më shumë nga vetja e tyre, që shumë shpejt të nxjerrin skuadrën nga situata ku edhe ndodhet. Natyrisht që është diçka pozitive një premio e tillë, por duhet kuptuar se jo gjithçka vendoset nga premiot, por në fushë. Lojtarët e kanë kualitetin për ta çuar skuadrën drejt fitores.

Si paraqitet gjendja e skuadrës para kësaj ndeshjeje?

Fatmirësisht nuk kemi mungesa dhe grupi i lojtarëve do të jetë i plotë për këtë ndeshje në transfertë. Ndaj edhe për formacionin do të shohim se si do të luajmë nga minuta e parë, për të zbritur me ata lojtarë të cilët i kemi parë më mirë gjatë kësaj jave. Gjithsesi, kushdo që zbret në fushë jep gjithmonë maksimumin për të marrë më të mirën skuadra.

Do ishte e vlefshme për ju një pikë ndaj Luftëtarit?

Unë do të dëshiroja fitoren, por janë 90 minuta lojë, në një ndeshje të rëndësishme. E vlerësoj kundërshtarin, për vetë renditjen dhe faktin se mbetet një skuadër mjaft e mirë dhe që në kampionat po bën shumë mirë. Duhet kuptuar se Flamurtari i ka cilësitë dhe kualitetet e duhura për të kërkuar fitoren, pastaj të shohim se si do të jenë 90 minutat e takimit. Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, për vetë faktin se të dyja skuadrat kërkojnë maksimumin.

Leal në stol, vetëm një dilemë për formacionin
Mauricio Leal pritet të kthehet në stol, ndërsa nga minuta e parë do të luajnë Galiç ose Beqaj në krahun e djathtë të mbrojtjes, çka bën që Jakovljeviç të luajë në qendër në krah të Veliut. Sa i përket pjesës tjetër të formacionit, nuk priten ndryshime në krahasim me ata që zbritën në fushë ndaj Skënderbeut.

Formacioni i mundshëm
Flamurtari:  Halili – Beqaj, Jakovljeviç, Veliu, Mersini – Telushi, Neziraj, Shkodra – Fazliu, Alvesh, Bushiç

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image