Duro: Nuk më shqetëson ngjeshja e kalendarit

Trajneri i Flamurtarit: Eshtë një ndeshje rivalësh dhe asgjë nuk mund të parashikohet. Skuadra është në gjendje të marrë maksimumin  

Elton Nika

Pas ndërprerjes së kampionatit, vlonjatët rinisen nga Shkodra, ku vështirësia dihet, por edhe rëndësia për të dalë me pikë nga kjo transfertë. Në Vlorë i mendojnë të tre rezultatet, por kërkojnë maksimumin. Trajneri Duro flet për rëndësinë e ndeshjes dhe vlerëson kundërshtarin, por kërkon më të mirën nga Flamurtari. “Kemi ndeshjen e radhës me Vllazninë në Shkodër, që ka specifikën e vet. Një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por shpresojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv. Kjo ndeshje i ka brenda të tre rezultatet” – shprehet fillimisht trajneri Duro për “Sport Ekspres”.

Luhet në një stadium si “Loro Boriçi” dhe në një fushë mjaft të mirë, diccka që e bën optimist trajnerin Duro: “Kampionati ynë tashmë ka hyrë në një nivel tjetër dhe kjo vihet re që nga fushat me infrastrukturë të mirë. Në gjitha stadiumet luhet futboll, jo vetëm në Shkodër. Nëse skuadra luan mirë, mund të fitojë. Patjetër që Vllaznia është e favorizuar në këtë aspekt, ashtu sikundër është në aspektin e tifozërisë, por edhe të infrastrukturës. Gjithsesi, do të shikohet si do të reagojë skuadra në fushë”, – thekson kreu i stolit vlonjat, i cili më parë e ka drejtuar Vllazninë. I pyetur në lidhje me shanset e ekipeve për fitore, ai deklaron:  “Është një ndeshje me dy rivalësh, dy ekipesh më traditë në futbollin shqiptar, por që duhet të pranojmë se janë të tre rezultatet në lojë. Pavarësisht se nuk ka marrë pikët e duhura, Vllaznia është një skuadër e organizuar, me një trajner që e njeh shumë mirë futbollin shqiptar. Ka marrë futbollistë cilësorë, duke filluar nga Orelesi, Hasani, Vucaj, Gilman Lika e Ribaj. Pra, ka bërë një merkato shumë pozitive. Është një skuadër e organizuar, e fortë dhe luftarake. Në këtë aspekt, them se do të jetë një ndeshje interesante”.
KALENDARI – Në fund trajneri Duro komenton edhe ngjeshjen e kalendarit, me skuadrat që në 10 ditë do të luajnë katër ndeshje. “Ngjeshjen e kampionatit e kemi parasysh. Ndonjëherë është negative, por ka raste që del edhe pozitive. Të gjitha skuadrat e kanë marrë parasysh këtë kalendar dhe duhet ta përballojnë. Skuadra ka organikën e plotë, pavarësisht se mund të kemi skarcitete gjatë ndeshjeve. Kemi lojtarë për ta përballuar këtë situatë. Nuk duhet ta cilësojmë problematike ngjeshjen e ndeshjeve, pasi i tillë kalendari nuk do të jetë vetëm për Flamurtarin, por për të gjithë. Objektivi? Ajo që kemi thënë gjithmonë është padyshim e rëndësishme: ne shikojmë ndeshjen e radhës dhe tani përballë kemi Vllazninë, më pas duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës”, – ka përfunduar trajneri Duro.

Grupi i plotë, ka vetëm një dilemë
Alvesh dhe Musta janë të gatshëm për skuadrën, madje pritet që të dy lojtarët ta nisin titullar takimin në Shkodër. E vetmja mungesë është ajo e mbrojtësit Franc Veliu. Në Shkodër duket se nuk do të ketë shumë ndryshime në formacionin titullar. Dilema mbetet aktivizimi nga minuta e parë i Kamarasë ose e brazilianit Zhufo, me këtë të fundit më të avantazhuar.

Formacioni i mundshëm: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Jakovljeviç, Musta, Useini, Sidibe, Pollozhani, Zhufo, Alvesh, Bushiç

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *