Duro: Ndjesë tifozëve, do të ringrihemi

Flamurtari është në momentin më të keq të sezonit, në javët e fundit ka pasur një rënie të frikshme në çdo drejtim dhe arsye ka shumë, por trajneri Shpëtim Duro nuk dëshiron të gjejë justifikime, edhe pse arbitrimet mbeten një problem i madh për një skuadër që nuk po arrin ta kuptojë pse 80% apo më shumë gabime të arbitrave i ka kundër.

“Duhet të reagojmë, përtej problemeve që dihen, duke nisur nga gjykimi. Në Shkodër na janë mohuar dy 11-metërsha, kurse në Laç nuk ka ndonjë gjë për të thënë. Ishte akti i tretë i një skenari që ka filluar që në fazën e parë. Kemi pasur edhe mungesa, por kam besim se skuadra do të kthehet ajo e dy fazave të para. Një skuadër e fortë është ajo skuadër që di të ringrihet dhe unë kam besim se këtë do të bëjmë. Kamzën e njoh dhe di të them se është ekip i fortë, që do të na e bëjë të vështirë në Vlorë, por ne duhet të reagojmë. Kemi lojtarë të mrekullueshëm dhe profesionistë, të cilët nuk e meritojnë të jenë në këtë situatë”, shprehet Duro, i cili kërkon falje në lidhje me këtë ecuri.

“Dua t’u kërkoj ndjesë në emër të ekipit tifozëve të Flamurtarit për rezultatet e fundit, por bashkë me ta do të dimë të ringrihemi. Me mbështetjen e tyre, Flamurtari do të kthehet në vendin që meriton”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *