Duro jep dorëheqjen: Përgjegjësia ime, nuk ka kthim pas

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka dhënë dorëheqjen. Këtë radhë nuk ka më diskutim me administratorin Sinan Idrizi, vetë Duro e konsideron vendimin përfundimtar, duke folur pas ndeshjes në Supersport.

“Me keqardhje, marr një vendim të pakthyeshëm që të largohem nga drejtimi i Flamurtarit. Kjo për shkak të eliminimit nga kupa, që ishte edhe mundësia e fundit për të mbyllur me sukses sezonin”.

Vendim i nxituar? “Jo, nuk është problemi se na mundi Skënderbeu apo se nuk shkojmë dot në Europë, sepse nuk jemi larg. Mendoj se është momenti i duhur të largohem, si për mua, ashtu edhe për zotin Idrizi dhe për Flamurtarin. Marrë përsipër përgjegjësinë që më takon. Më vjen keq, sepse dëshiroja ta çoja përpara projektin për sezonin e ardhshëm, kam një vit e gjysmë në Vlorë dhe jam ndier shumë mirë me të gjithë, jam shumë i kënaqur nga gjithçka, nga bashkëpunimi me Idrizin dhe me ambientin, ndërsa normale që rezultatet e fundit ishin negative dhe duhej një reagim. Më vjen keq se skuadra ishte e mirë, por në janar nuk bëra atë që duhej të bëja. Nuk mora lojtarët që njoh vetë, por ndoqa edhe disa sugjerime dhe nuk funksionoi ashtu si e prisja”.

“Unë sot e lë Flamurtarin në vendin e gjashtë, pak pikë larg Europës. Nuk e lë Flamurtarin si e mora, 10 pikë pas Tiranës dhe të eliminuar nga kupa nga Besëlidhja. Nuk po e lë ekipin në rrënuar në renditje, e lë në pozicion të mirë në renditje dhe të eliminuar në gjysmëfinalet e kupës. Megjithatë, më duhet të largohem, përtej përkrahjes që kam pasur nga gjithë ambienti, nga stafi dhe sidomos Idrizi, sepse kam qenë shumë i qetë në punën time. Nuk mund të vazhdoj dot për shkak të rezultateve negative”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *