Duro: Jam skeptik për Tiranën, ikja e Gegës jo pozitive

Shpëtim Duro, pas eksperiencës me Dritën e Gjilanit sezonin e shkuar, është i lirë dhe në pritje të ofertave për të drejtuar ndonjë skuadër. Propozime ka pasur, por ende nuk i ka dalë ai projekt që ai dëshiron. Në rolin e një specialisti futbolli, ai ka dhënë një intervistë së fundmi dhe flet për pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në Europë, lëvizjet te Partizani, tregon se si në Kosovë dhe Maqedoni veprohet ndaj klubeve me probleme, si dhe komenton shkurt pritshmëritë për sezonin e ardhshëm në Superiore.

EUROPA – “Duke iu referuar kundërshtarëve që kanë përballë, kam mendimin që Teuta me Kukësin kanë mundësi më të shumta. Më të vështirë normalisht e ka Partizani me Karabakun, por edhe Laçi që ka skuadrën izraelite. Megjithatë them që të gjitha skuadrat të bëjnë maksimumin në ndeshjet e para, pasi janë shumë të rëndësishme”, deklaron Duro për ABC News.

PARTIZANI – “Ishte një ndryshim pas dorëheqjes së Skënder Gegës. Nuk ishte pozitive, klubi bëri zgjedhjen e tij dhe zgjodhi totalisht një staf italian. Ky staf ka pasur kohën e duhur gjatë kësaj faze përgatitore për të njohur ekipin. Ajo që është e rëndësishme te Partizani është fakti që është po ajo skuadër, madje kanë arritur të marrin dy-tre lojtarë të rinj”.

LICENCIMET – “Kur një skuadër fillon me probleme, me humbje, institucioni i federatës të dalë bllok që kjo skuadër të mos marrë pjesë në kampionat. Të mos agravohen problemet vit pas viti dhe situata më pas thellohet edhe më keq. Në këtë aspekt në Kosovë dhe në Maqedoni nuk i lejojnë këto situata. Unë i kam parë vetë. Kanë qenë skuadra që kanë qenë gati për përjashtim, por kanë arritur të zbatojnë ligjin”, tha Duro.

SEZONI I ARDHSHËM – “Vlen për t’u parë si do shkojë situata me Skënderbeun sepse Skënderbeu ka qenë një skuadër dominante këto vite. Tirana po lëviz, por unë jam pak skeptik”, përfundon trajneri i njohur deklaratën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *