Durmishaj, një jetë duke luftuar!

Futbolli nuk është thjesht një lojë kur je një fëmijë që shkon nga Shqipëria në Greqi: Fiorin Durmishaj e kuptoi menjëherë dhe e përdori futbollin për t’u bërë pjesë e shoqërisë, për të kaluar pengesat gjuhësore me grekët. Kështu shkruan ‘gazzetta.gr’, që ka publikuar një intervistë të gjatë dhe shumë interesante me sulmuesin shqiptar Fiorin Durmishaj. 21 vjeç, tashmë më shumë grek se shqiptar, për nga vitet e kaluar në vendin helen, por Durmishaj nuk e harron kurrë origjinën dhe as vuajtjet për të gjetur rrugën e vet në jetë. Nga racizmi dhe uria, Durmishaj i ka provuar të gjitha në vendin fqinj, ku gjithsesi ia ka dalë mbanë, e ka fituar betejën e vet, sepse tashmë luan për Panioniosin dhe është një ndër yjet e ekipit.

– Cili është sekreti i Panioniosit që prodhon kaq shumë të rinj të talentuar?

– Nuk e di realisht, por klubi afron fëmijë me motivim dhe me dëshirë, që kanë vuajtur dhe duan të luajnë futboll edhe për të harruar problemet. Te Panioniosi mund të mungojë infrastruktura, por janë të gjithë të etur, me sa kam parë.

– Sa vjeç erdhët në Greqi dhe si? Keni kujtime?

– Isha 5 vjeç, isha i lumtur që po largohesha nga Shqipëria, duke qenë pranë babait tim në autobus. Jetonim në një fshat ku muret kishin edhe vrima plumbash, rrugët nuk ishin të shtruara, ishte kohë e vështirë. Gjatë gjithë rrugëtimit shihja nga dritarja qytetet që linim pas. Udhëtuam për 12 orë dhe isha i fiksuar në xhamin e dritares së autobusit, nuk më flihej absolutisht.

– A mban mend episode racizmi në Greqi?

– Kur erdhëm në Rodos racizmi ndaj shqiptarëve ishte i dukshëm, ndërsa tani është adresuar te njerëz nga vende të tjera. Mbaj mend që kërkonim të gjenim një shtëpi me qira dhe kur babai PO fliste në telefon me dikë për të biseduar për detajet. Babai nuk fliste mirë greqisht dhe personi tjetër në telefon e kuptoi që po fliste me një shqiptar, ndaj i tha që nuk kishte shtëpi me qira për të dhënë, pasi e pyeti nga ishte. Kur erdhëm në Greqi, qëndruam për pak kohë te shtëpia e hallës, që ishte shumë e vogël, nëntë vetë në një shtëpi 60 metra katrorë. Kur gjetëm një shtëpi të vogël, nuk kishim para mjaftueshëm dhe gënjenim, duke thënë që ishim 4 persona në shtëpi, ndërsa vëllai im fshihej.

– Si ju ndihmoi futbolli që të përshtateshit si emigrant në një shtet të huaj?

– Nisa të zë shokë vetëm kur nisa të luaj futboll, sepse sporti në përgjithësi i bashkon njerëzit. Nuk më nevojitej të dija gjuhën, kuptoja gjithçka kur ishim në fushë, sepse mjaftonte lëvizja e trupit apo mimika..

– A e ke ndjerë racizmin në futbollin grek?

– Shumë herë. Gjërat tipike, në lidhje me origjinën time. Në fillim nervozohesha shumë dhe pyesja veten “pse, pse”. Më pas nisa të mos u kushtoj shumë rëndësi.

– Cila ka qenë gjëja më e vështirë në karrierën tuaj?

– Kur erdha në Athinë, u provova dhe trajneri i të rinjve më donte në skuadrën e 17-vjeçarëve. Më duhet të merrja një dokument për t’u regjistruar, por nuk e kisha të lehtë dhe familja më thoshte se duhej ta lija futbollin. Më pas nisa të luaja disa ndeshje dhe familja ime filloi të ishte më optimiste. Pastaj, kur kalova te 20-vjeçarët nuk kisha para për të shkuar në Athinë, debatova edhe me babain, por më në fund babai më gjeti një sistemim në Athinë. Në atë kohë stërviteshim nga Terezopulos, i cili ishte shumë strikt, në kuptimin e mirë të fjalës. Ai na thoshte se duhejtë merrnim banane me vete dhe dy litra

Ujë, por nuk kisha para për të blerë ujë, banane dhe biletë autobusi. Trajneri më kapi dy herë, më tha që do të më largonte nëse shkoja sërish pa blerë banane e ujë. Terezopulos më la jashtë në 6-7 ndeshje, as në stol nuk më merrte, ndaj babai në tha që ta lija ekipin, sepse nuk do të më blinte më biletë udhëtimi. Gjithsesi, pas disa ditësh luajtëm kundër Janinës, trajneri më mori me vete, më hodhi në fushë 25 minuta dhe ditën tjetër u tha lojtarëve: “Ja, kështu lojtarësh dua, të luajnë me shpirt dhe pasion”. Më pas luajta kundër Atromitosit dhe fituam 4-3, unë shënova 2 gola dhe dhashë një asist. Pastaj në Tripoli, ku trajneri nuk kishte fituar kurrë dhe unë shënova 3 gola në fitoren 3-2. Ishte periudhë që më shërbeu shumë, Terezopulos më bëri futbollist profesionist.

SUPERLEAGUE / ÐÁÍÉÙÍÉÏÓ – ÁÐÏËËÙÍ ÓÌÕÑÍÇÓ (ÁÍÔÙÍÇÓ ÍÉÊÏËÏÐÏÕËÏÓ / Eurokinissi Sports)

– Kishte momente kur mendoje se duhej ta lije futbollin?

– Po. Më shumë se 5 herë. Mendoja se duhej të ndalesha, të kthehesha në Rodos dhe të punoja, sepse familja ime ishte e varfër, por vëllai dhe babai më ndaluan që ta lija futbollin.

– Shumë njerëz mendojnë se lojtarët kanë jetë të rehatshme dhe kanë shumë para.

– Njerëzit imagjinojnë jetën tonë sikur është luksoze, me makina e veshje të shtrenjta, por në Greqi nuk ndodh kështu. Kur isha në Kalithea, kishte raste kur nuk kishim para për karburant, përdornim 5-6 persona një makinë. Kishte raste kur më prishej biçikleta dhe më merrnin shokët me makinë, duke u ngjeshur.

– Çfarë të bezdis në futbollin grek?

– Dhuna dhe huliganët. Tifozët duhet të vijnë në stadium për të parë shfaqje dhe të largohen qetësisht, si miq.

– Cilin gol mban mend mirë dhe pse?

– Nuk do të harroj golat e shënuar me AEK-un, apo një gol me roveshatë me Iraklis Psachna. Edhe një gol ndaj Panathinaikosit më ka mbetur në mendje, ishte gol kundër një klubi të madh, për të cilin kam shumë respekt.

– E ardhmja?

– Së pari, uroj të jem mirë fizikisht, pastaj të kem mundësi të tregoj sa vlej në një skuadër me kushte të mira pune, profesioniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *