Duka “thumbon”: Vendim i çuditshëm, mos na krahasoni me Anglinë!

Goditja e gjyqtarit të FIFA-s, Eldorian Hamiti, është komentuar së fundmi edhe nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ditën e sotme, nga Elbasani ku po përuronte një fushë në kopshtin numër 9, ai komentoi edhe dhunën në futbollin tonë.

“Kemi edhe raste të tilla, si ai që ndodhi në Kamëz. Është një gjë shumë e shëmtuar, por futbolli për nga emocionet që ka, për nga gara, sa më e egër të jetë ajo, aq më shumë bëhen të papërmbajtura emocionet. Këto emocione nuk përmbahen vetëm me shkollë edukimi, por me masa të ndryshme sipas nivelit që ndodhin”, tha mes të tjerash Duka para mediave.

“Kuptohet niveli i shoqërisë shqiptare dhe ne duhet të jemi realistë ku jemi dhe ku është niveli i shoqërisë shqiptare. Ai që është agresori dhe ai që bën dhunën, patjetër që ka peshën kryesore të fajit dhe duhet të marrë dënimin e duhur. Të tjerët duhet të analizojnë dhe të shohin se çfarë faji kanë. Federata e Futbollit, organizatorët e Klubit dhe gjithashtu edhe forcat e rendit, që duhet të ruajnë rendin në Shqipëri”, shtoi Duka, pyetur për shkaqe që sjellin dhunën.

LIGJI – “Në fillim të këtij kampionati çuditërisht u mor një vendim që policia nuk duhet të jetë prezent në stadiume. Po të jesh në zyrë dhe në letër, është një vendim OK, që kopjon disa vende. Thonë kështu e ka Anglia, e kështu e ka Norvegjia. Unë nuk besoj që Anglia dhe Norvegjia kanë nevojë për aq shumë policë sa ishin sot në mëngjes në parlamentin shqiptar, sepse parlamentarët nuk flasin me njëri-tjetrin. Kanë një polici jashtë dhe një gardë brenda. Niveli i futbollit, që është akoma edhe më i gjerë dhe presupozohet se niveli intelektual duhet të jetë pak më i ulët se i parlamentit, duhet të luajë dhe të ruajë vendin vetë, pa policinë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *