Duka për infrastrukturën e futbollit: Kemi rritur investimet me 228%

Investime të panjohura më parë në historinë e futbollit shqiptar, me një rritje prej 228%, i ka konsideruar ndërhyrjet e bëra nga FSHF për përmirësimin e infrastrukturës në stadiume dhe fusha sportive, presidenti aktual i kësaj federate dhe njëkohësisht kandidat për një tjetër mandat në krye të institucionit, Armand Duka.

Në faqen e tij në Facebook, Duka ka postuar dy infografikë që tregojnë numrin e stadiumeve dhe fushave stërvitore ku Federata ka bërë investime, si dhe progresionin në rritje të shumave financiare të investuara nga FSHF në këto terrene.

Tre stadiume ndërkombëtare, 12 stadiume kombëtare, 56 fusha me bar natyral, 19 fusha me bar artificial, 76 fusha minifutbolli dhe 7 impiantet ndriçimi në stadiumet kombëtare është bilanci i asaj se çfarë ka bërë FSHF për infrastrukturën e futbollit në 16 vitet e drejtimit nga Armand Duka.

Ndërkohë që shumat financiare të investuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nisin nga 3.5 milionë euro në mandatin e parë të Dukës në krye të FSHF-së dhe arrijnë në 8 milionë në katërvjeçarin 2014-2018.

Infrastruktura e futbollit shqiptar ka qenë një ndër temat më të debatuara të ditëve të fundit. Kundërshtarët e Dukës e kanë akuzuar atë se ka investuar në ndërtim stadiumesh, por nuk ka bërë sa duhet për fushat stërvitore.

Përmes të dhënave të publikuara sot kreu i FSHF-së  duket se ka dashur t’u japë një përgjigje të drejtpërdrejtë të gjithë kundërshtarëve të tij. Kjo pasi në statistikat e publikuar, bie në sy numri i madh i fushave dhe terreneve sportive ku federata ka investuar për të përmirësuar infrastrukturën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *