Duka: Panuçi nuk është ende një bast i fituar

0

Vendi i tretë në grupin e eliminatoreve të Botërorit Rusi 2018 nuk mjaftoi për të provuar play-off. Megjithatë, krahasimi me 2016-n nuk mund të vlejë… Gjithsesi, Armand Duka e di mjaft se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet, duke e nisur intervistën e tij “90 minutat e Dukës”, me moderatorin Vilma Masha në Supersport, nga kombëtarja.

Italia u eliminua në playoff ndaj Suedisë. Nëse do të ishim ne në vendin e dytë, do të kishim shanse?

Në fakt, më erdhi keq që Italia nuk është pjesë e Botërorit, por Suedia e meritoi dhe e uroj për pjesëmarrjen në Rusi. Por, e them me plot gojë që nëse do të ishim në vend të Italisë në playoff, do të kishim bërë shumë më shumë se sa ata ndaj Suedisë, duke parë këtë Itali.

A mendoni se kalimi nga De Biazi te Panuçi, pa kosto sportive, konsiderohet sukses?

Nëse është sukses apo jo, do të shihet në vazhdim, sepse vendimi për të ndryshuar stafin në katër ndeshjet e fundit, u mor për t’i shërbyer perspektivës dhe objektivit madhor, Euro 2020. Nuk mund të themi që është bast i fituar, duhet të presim. Shenjat janë të mira dhe kanë qenë pozitive, edhe pse ka vërejtje sa të duash për të bërë. Të presim…

A të vjen keq për De Biazin që u largua në mes të sezonit dhe a mund të mbyllej me të?

Nuk besoj se do të ndryshonte asgjë  e madhe. Këtë vendim e morëm bashkërisht dhe në harmoni të plotë me të gjithë stafin teknik dhe vetë ish-trajnerin. Më e mira është që stafi që do drejtojë për 2020, më mirë ta merrte menjëherë se sa në tetor. Ishte diskutim bashkë me De Biazin dhe i thashë “pse të mos vijosh deri në tetor”, por ishte vendim që u mor për të mirën e kombëtares dhe jo të De Biazit apo Dukës.

Çfarë ndodhi në momentin e divorcit, pas ndeshjes me Luksemburgun. Konferenca për shtyp, ai erdhi në zyrën tuaj. U duk sikur e bindët, u duk sikur nuk u bind…

Nuk pati asgjë të veçantë. Humbja ndaj Luksemburgut ishte, fatmirësisht, ndeshje miqësore, relativisht ndaj një ekipi  të vogël në letër, por që është rritur. Por, duke parë rezultatet tona të fundit, ishte e papranueshme për ne. Madje, De Biazi na thoshte shpesh më humor “ju gjeta dhe mora kur ju mundte Luksemburgu”, por na la edhe kur na mundi Luksemburgu. Është e dhimbshme kundër një ekipi të vogël, por nuk duhet bërë dramë, pasi mund të sjellë pasoja edhe më negative. Ajo humbje mbase i bëri mirë kësaj periudhe të rënies së skuadrës, ndoshta edhe vetë djemtë, me të cilët diskutova gjatë, kuptuan se thika po shkonte në kockë. Dhe, ajo e Luksemburgut i bëri që të ndjenjë thikën në kockë dhe u bënë më mirë pas asaj, siç edhe u pa në vijim.

Cili është raporti juaj me De Biazin, flisni ende në telefon? E ndjek ai Shqipërinë?

I ndjek mediet më shumë se unë dhe shpesh më thotë çfarë ka shkruar kjo gazetë apo ajo tjetra. Ose, ndonjë emision interesant. Komunikojmë rregullisht. Do të jetë në Tiranë për festa e fundvitit. U konsultuam për aventurën spanjolle dhe mundësitë. Marrëdhënia mbetet e mirë. Kështu duhet të jetë për çdo personazh të futbollit shqiptar.

Shumë shpejt e gjeti punën, por shumë shpejt e humbi. Vetëm 8 javë në Spanjë?

Futbolli do durim. Edhe te Shqipëria, nëse nuk do të kishim pasur durim, do ta kishim larguar që pas vitit të parë, por mendoj që bëmë mirë duke qenë të duruar.

Kristian Panuçi, pa shumë përvojë. Gjithmonë keni zgjedhur në krye të kombëtares trajnerë me CV të pasur. Pse ndryshuat kursin, këtë herë?

Mora vendimin e duhur në momentin e duhur. Zgjodha atë trajner që i duhet skuadrës në atë moment, duke mbajtur parasysh formën, momentin psikologjik, objektivat. Nuk pendohem për asnjë nga trajnerët që kemi emëruar për të drejtuar kombëtaren. Mora vendimin e duhur në kohën e duhur. Në këtë moment, ekipi ynë, pas atij suksesi, psikologjikisht u zmadhua shumë. Ndoshta, për vetë faktin se djem të rinj, u bënë të famshëm, ndoshta me të drejtë, gjithkund priten me shumë entuziazëm dhe euforia bëri ndikimin e saj. Duhej staturë e fortë dhe me energji e suksese, për t’i demonstruar se jeni ende te stacioni i dytë dhe duhet të bëni më shumë për të shkuar më tej, siç edhe kam bërë unë.

Cilët ishin konkurrentët e Panuçit?

Në atë kohë u publikuan emrat. Ishin kandidatë, ose që në biseduam dhe intervistuam si Klarens Sedorf, Valter Zenga, Paolo De Kanio. Ishin të mirë dhe më lanë mbresa. Sedorf, për mua, e kam thënë edhe në biseda private, ishte një nga më intelektualët dhe përgatitur. i super edukuar. Të gjitha të mirat që mund të ketë një person. Ndër personat më të mirë që kam parë në futboll, por nuk mund të bindte në rolin e trajnerit. Do ta zgjidhja për çdo gjë tjetër, ishte super intelektual dhe vërtet më la mbresa të jashtëzakonshme.

Meqë flasim për trajnerë italianë, nga ndryshon Panuçi nga De Biazi? Në pamje të parë, por edhe stërvitja…

Kam pasur përshtypjen që Panuçi, për vetë karakterin e futbollit dhe si e kam njohur si futbollist, e mendova që do të ndërtojë një skuadër ende më shumë defensive, por është e kundërta e De Biazit. Sepse ka një mentalitet ofensivë dhe ndryshe nga shkolla e futbollit dhe pëlqehet nga bota. Por, në fakt, në futboll mbahen mend rezultatet dhe duhet të jesh pak më i kujdesshëm. i pëlqen më shumë spektakli. Ky është ndryshimi. De Biazi shumë më pragmatist dhe difensiv në lojën e futbollit.

Objektivat për kombëtaren dhe Panuçin, Euro 2020?

Nuk është dëshirë dhe ëndërr e parealizueshme, siç mendohej dikur, por realisht mund të arrijmë të parët por edhe të dytët në grup. Por, jo gjithmonë në futboll fiton ai që fiton në letër. Varet se çfarë ofron shorti dhe se si do të jetë skuadra. Mos kemi dëmtime, sepse alternativa nuk kemi shumë. Dhe, të kemi fat. Që kemi mundësi, kemi! Ashtu si e shoh unë, që ulem në shkallët e stadiumit dhe ndjek ndeshjet, përveç kundër Spanjës, që realisht nuk kam shpresa për fitore, kundër çdo skuadre tjetër në Europë, ne mund të bëjmë rezultat dhe e kemi treguar. Ashtu si kemi treguar që për mentalitetin tonë ballkanas, mund të humbasim edhe ndaj një ekipi të vogël. Do të bëjmë maksimumin në të gjitha këndvështrimet, menaxheriale etj. Mendoj se jem një nga kombëtaret më të mira të botës, për sa i përket dëshirës që kanë për të luajtur dhe për të ardhur me kombëtaren. Aq shumë dëshirë sa kanë djemtë tanë për të bërë rezultat, asnjë nuk e ka dhe kjo është tepër e rëndësishme.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image