“Duka nuk është Duka, dhe mundja e tij sjell plot… rreziqe”

0

Nga Mentor Nazarko (konica.al)

Të mërkurën, në Durrës votohet për kreun e Federatës së Futbollit, midis Armand Dukës dhe Bashkim Finos. Gara ka marrë karakter agonistik, sepse ka rreshtime aktorësh të fuqishëm mbrapa tyre. Ushtritë, si komandantët, po shkëmbejnë topa balte në beteja të vogla dhe të mesme. Qenia në krye të klubeve e kryetarëve të bashkive, për shkak të një legjislacioni që ende nuk ka ndryshuar, e rrit ndikimin e partisë në pushtet nga vjen kandidati Fino. Por jo vetëm kaq: Federata e futbollit, futbolli në përgjithësi është një biznes i madh, i ligjshëm dhe i paligjshëm, sepse me të lidhet dhe industria e madhe e basteve, kësisoj egërsia e luftës është e vetëkuptueshme.

Në një garë si kjo, pa kurrfarë pretendimi për të dhënë një gjykim shterues për atë se kujt i takon fitorja, mund të thuhen disa përfundime që të ndërlidhur me njëri tjetrin, mund të çojnë në një përfundim tjetër më përfshirës: politika duhet të ruhet nga involvimi i fuqishëm në manaxhimin e futbollit në vijë të parë. Kjo nuk do të lejohet nga organizimet e futbollit botëror dhe evropian dhe penalizimet mund të prekin vetë futbollin. Dhe ja përse.

Nuk ka asnjë diskutim se federatat sportive janë disa feude ku në përgjithësi është e vështirë të ndërhysh me forcën e ligjit, sepse ato janë organizata kryesisht të vetërregulluara si organizata joqeveritare. Shteti ka rritur shkallën e rregullimit të tyre nëpërmjet amendimit të ligjit për OJQ-të, por prapë gjithçka ngjan e vështirë. Ato mund të kontrollohen ose prej vetë anëtarëve-klubeve, asambleve të tyre, ose prej organizatave mëmë evropiane dhe ndërkombëtare. Për pasojë, kur dikush bëhet president i një federate, është shumë e vështirë ta largosh. Me gjasë, edhe në vende me kulturë të madhe demokratike ndodh e njëjta gjë, dhe presidentët e federatave nuk lëvizin për një kohë të gjatë: mjafton të shohësh rastin e presidentëve të FIFA-s dhe UEFA-s, që ishin në krye prej dhjetra vjetësh dhe vetëm prokuroria, madje politika amerikane, mundi ta atakonte nga jashtë fuqinë e drejtuesve të tyre, të përfshirë madje dhe në lojëra gjeopolitike. Është vështirë të imagjinosh që të krijohen grupe alternative fuqie që ta konkurrojnë nga brenda presidentin e një federate, nëpërmjet një kandidature tjetër. Kur ky rol çimentohet me fuqi ekonomike, mediatike, me lidhje me forcat politike, atëherë çdo ndërmarrje sfiduese bëhet e pamundur.

Vetëm politika ka kaq fuqi sa… futbolli

Përballë fuqive të tilla kaq të mëdha (futbolli për shkak të numrit të klubeve, të të angazhuarve, sukseseve, financimeve nga jashtë, basteve po të doni, është aktori më i fuqishëm sportiv), mund të bëjë punë vetëm një fuqi tjetër e madhe… politika. Pra, nga njëra anë dalja e politikanit Fino si kandidat ngjan si lëvizje e natyrshme përballë frustrimit dhe pafuqisë së kujtdo tjetër që në mënyrë të ligjshme ose të paligjshme do donte të konkurronte. Konkurrimi përballë Dukës i një kandidati si Fino, që ka fuqi të madhe, paprekshmëri, etj., artikulimi prej tij i disa të vërtetave me të cilat furnizohet me siguri prej vetë sistemit, ngjan si zgjidhje e detyruar. Pra kjo përplasje prodhon debat dhe dobi publike, sepse sheshit dalin probleme të caktuara manaxhimi të federatës, të cilat me gjasë nuk do dilnin ndryshe, për shkak të fuqisë së madhe të Dukës për t’i mbuluar ato. Prej kësaj përplasjeje edhe Duka mbase po fillon të mendojë të jetë më demokratik, më transparent, apo të rrisë fuqinë e strukturave brenda federatave, ligjshmërinë në përgjithësi.

 

Politika megjithatë do duhet të rrijë larg

Mirëpo pavarësisht se Duka vetë erdhi prej mbështetjes politike 16 vjet më parë, apo pse ai ka flirtuar rregullisht me të dy krahët e politikës, sepse në sisteme si tonat është e pamundur të mos bëhesh… pis me politikë, kjo nuk legjitimon qeverinë të ndërhyjë fuqishëm në favor të kandidatit Fino, që vjen nga parlamenti dhe është brenda politikës me të dyja këmbët. Edhe sikur Fino madje të jepte dorëheqjen prej parlamentit, kjo nuk do ndryshonte asgjë. Unë nuk di se sa fuqishëm po ndërhyn krahu i majtë në favor të tij, por është krejt e qartë se Duka, i cili gjithashtu ka lidhje në krahun e majtë, do ta përdorë fuqishëm në gjirin e federatave mëma në favor të tij, duke u viktimizuar me argumentin e angazhimit të politikës, apo njerëzve të qeverisë, kundër tij. Është plotësisht e vërtetë se kryeministri Rama nuk po përfshihet në asnjë mënyrë publikisht, por në rast humbjeje, Duka do të ankohet dhe me gjasë është ankuar që tani, duke kërkuar monitorim të madh para, gjatë dhe pas zgjedhjeve nga ana e federatave mëmë, ku ai ka miqtë e vet dhe ku ka dhënë e marrë favore të llojeve të ndryshme në 16 vjet rresht. Ndërvarësia e federatave në organizime sportive është e qartë dhe Duka nuk është vetëm Duka.

 

Duka po sfidohet në momentin e suksesit më të madh të tij

Ka dhe një aspekt tjetër që e bën megjithatë të diskutueshme daljen e një rivali si ky kundër Dukës. Kjo dalje kundër presidentit aktual po ndodh kur Federata nën drejtimin e Dukës ka arritur suksesin më të madh në historinë e futbollit shqiptar dhe ky sukses ka me siguri meritat e tij si manaxher i shkëlqyer. Me siguri ka boll mëkate, por ka shumë merita dhe nëse do dëgjoje De Biazin, i cili nën dhëmbë ankohej pse nuk merrte rrogë më të madhe, do mësoje se Duka përgjithësisht nuk ka ndërhyrë kurrë në formacion, etj. Nën udhëheqjen e Dukës në mënyrë graduale Federata jonë po merr një lloj forme moderne, dhe ky brez futbollistësh po vjel frytet e sukseseve individuale, të cilat nuk kanë mundur t’i marrin paraardhësit. Pra Kombëtarja shqiptare e futbollit ka qenë gjithmonë në rritje të fuqisë së vet edhe për shkak të manaxhimit të Federatës.

Ndaj kujdesi është i detyrueshëm: nëse prej këtij angazhimi synohet të ridimensionohet fuqia e një personazhi si Duka, që pikërisht për shkak të suksesit të Kombëtares e ka rritur këtë fuqi dhe paprekshmëri, ne dhe mund ta vlerësojmë sakrifikimin e Finos. Por nëse me afrimin e garës politika bëhet gjithmonë e më e dukshme në mbështetje të tij, madje dhe me një rezultat pro tij, nuk ka asnjë dyshim se në mbështetje të Dukës do dalin fuqishëm federatat kontinentale dhe globale, të cilat nuk do ta legjitimonin fitoren e rivalit të tij. Kush mendon se presidenti i një federate futbolli rrëzohet vetëm me angazhim fuqish të brendshme, gabon. Dhe në një skenar si ky, kostot do t’i marrë në kurriz pikërisht qeveria, pikërisht Rama, i cili prej sukseseve të kësaj federate, ka marrë dhe përfitime elektorale. Mund të ketë përjashtime nga aktivitetet evropiane dhe ndërkombëtare, etj., madje dhe sikur në krah të Finos të mos kishte kurrfarë mbështetje nga njerëz të politikës. Pra kujdes, se loja me futbollin nuk është si loja e futbollit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.