Duka: Nuk e prisja ta mbyllnim kaq shpejt

Presidenti i FSHF-së, i habitur: Mendova se konferenca e trajnerit do të ishte teknike dhe për ndeshjen, por meqë ai lajmëroi lamtumirën, atëherë më mirë ta zyrtarizonim tani

“Arsyeja që jemi sot këtu është ajo që ju keni dëgjuar dje, deklarata e trajnerit që ka vendosur të mos vazhdojë kontratën pas këtij edicioni. Një vendim që personalisht më ka surprizuar. Më surprizoi fakti që u dha dje, por jo vendimi, sepse ka qenë një diskutim i përbashkët, edhe pse jo në të njëjtin mendim.

Mendimi i tij ishte që cikli ka mbaruar, por kjo nuk ishte bindja ime. Kam menduar se mund të ndryshojë mendim ndaj dhe nuk kemi bërë gjë publike, por dje në konferencë trajneri i qëndroi mendimit të tij. Bashkërisht menduam që ta bëjë zyrtare dhe ta komunikojë sot me ju”. Armand Duka e nis kështu konferencën për shtyp që kishte lajmëruar, duke falënderuar më pas trajnerin: “Falënderoj misterin për kontributin që ka dhënë në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar, në të gjithë punën tonë në federatë. Jam disi jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar 5 vite punë të cilat kanë pasur gjithçka brenda. Pesë vite me shumë emocione dhe me debate për zhvillim, me një sukses të pazakontë që për mua personalisht do lërë shenjë në jetë si një nga sukseset më të mëdha që kam përjetuar falë kontributit të tij. Marrëdhëniet e FSHF-së dhe të miat personale kanë justifikuar atë që kam besuar që në ditën e parë. Kur e emëruam në krye, edhe pse kishim alternativa të tjera, besuam se mund të arrijmë diçka. Sot, megjithëse një dite jo shumë normale, jo shumë e mirë, ndahemi me një bindje pozitive që bëmë mirë, bëmë zgjedhjen e duhur. Megjithatë nuk ndahemi me mendim të përbashkët, ua thashë që në fillim të konferencës.”

Më i miri – Më pas, kreu i FSHF-së ka prekur temën e kontratës, por edhe të vlerësimit për De Biazin: “Negociatat për kontratë dëmtojnë, në asnjë rast nuk ka qenë mendimi im të mos vazhdojmë më tej. Nuk mund të them asnjë lloj konkluzioni përveçse besimit të patundur që De Biazi është trajneri më i mirë për mua i kombëtares. Trajneri që ka arritur rezultatin më të mirë dhe suksesin më të madh të kombëtares. Për këtë dua ta falënderoj. Nga pikëpamja humane, miqësore, nuk kam humbur asgjë, sepse miqësia do të vazhdojë. Raportin zyrtar e kanë cënuar debatet e punës.

Raporti human do të jetë më i mirë. Njohja jonë është e tillë që ta di se të njëjtën monedhë do të marr dhe nga misteri. Kam qenë i emocionuar që dje sepse vendimi për t’u ndërprerë që tani nuk ishte konsoliduar, por mendimi im është që të shohim bashkërisht për të ardhmen. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj, në emër të ekipit, në emër të të gjithëve dhe t’i uroj vetëm të mira në jetë, suksese profesionale por më kryesorja, shëndet për misterin dhe familjen e tij. Jam i sigurt që nuk do të humbë lidhjet me shqiptarët. Nuk kam diskutuar me misterin që para Luksemburgut. Nuk kam menduar në asnjë rast për një largim të tillë. Kam vlerësuar pozitivisht punën e misterit. Patjetër kam pasur vërejtje, por asnjëherë nuk kam menduar që duhet të largohet apo ta lërë këtu. Është vendimi i misterit dhe nuk është i përbashkët me mendimin tim që cikli ka mbaruar.”

Habia – “Trajneri doli dje në konferencë për të folur për rezultatin, ekipin. Unë nuk e dija që do të thoshte që do largohet nga Shqipëria, edhe pse ishte diskutim i bërë mes nesh. Nuk e dija që do e bënte dje, por meqë e deklaroi, sot e zyrtarizuam. Nuk ka të bëjë me ndonjë ofertë dhe jam i bindur për atë që them sepse pavarësisht dyshimeve, apo përgjigjes me mërzi të trajnerit, e njoh mirë që nëse do kishte diçka të tillë do më thoshte. Marrëdhëniet kanë qenë të tilla dhe i kam thënë që nëse Federata do të t’i cënonte karrierën, atëherë mund të largohej, ndaj ai do ta thoshte. Lamtumirë apo mirupafshim? Lamtumirë nuk mund të konsiderohet, sepse ky lloj bashkëpunimi dhe tranzicioni do të bëhet bashkërisht, një lloj dorëzimi dhe asistencë për këdo që do ta pasojë. Misteri na ka garantuar që do e bëjë.”

Rinovimi  – “Nuk kam menduar që është vonë, kam menduar në të njëjtën mënyrë para Europianit. Kam thënë publikisht që të presim mbarimin dhe pastaj diskutojmë për kontratat, duke i qenë besnik i mendimit që diskutimet kontraktuale gjatë edicionit ndofta cenojnë mbarëvajtjen e ekipit.

Në fund do të diskutonim për të ardhmen në këtë mënyrë. Nuk kam qenë i vendosur dhe i bindur që De Biazi ka mbyllur ciklin, ndoshta nuk kam qenë as i bindur që mund të japë shumë më shumë. Por ndofta mund të ishte dhënë një sinjal. Ku i dihet, ndofta është bërë mirë që nuk është dhënë. Megjithatë, nuk mendoj se nuk do të arrija ta bindja, por ndofta më ka bindur trajneri mua se kjo është më e mira për ato argumente që vetë trajneri tha, që ndofta nuk luftojmë më për një vend kualifikues. Ndaj le të mendojmë për të ardhmen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *