Duka: Nuk e pranojmë humbjen pa luajtur!

Presidenti i FSHF-së, apel përpara dy ndeshjeve të fundit, në Spanjë dhe përballë Italisë: Në fushë zbresim 11-të, pengu i këtyre eliminatoreve është vetëm humbja me Izraelin në Elbasan, sepse objektivin e arritëm

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka qenë i pranishëm në hotelin e kombëtares U-19 të drejtuar nga Xhani de Biazi, teksa ka folur me futbollistët dhe i ka dhënë mesazhin e tij përpara se të niste kompeticioni i eliminatoreve të Europianit të kësaj kategorie (ndeshjet po zhvillohen në Shqipëri). Veç kësaj, kreu i FSHF-së, që ka ndjekur sfidën mes Malit të Zi dhe Norvegjisë në Kamëz, përkrah presidentit të federatës malazeze të futbollit, “gjeniut” të Milanit, Dejan Saviçeviç, në një intervistë të dhënë për “Supersport”, preku edhe temën e kombëtares A të Panuçit dhe shanset në dy ndeshjet e fundit, por edhe përshtypjet.

Fakti që ju jeni pranë U-19 dhe takoni futbollistët përpara një kompeticioni, do të thotë që është sinjal që besoni te kjo grupmoshë për të ardhmen dhe se mund të bëjmë shumë?

Realisht nëse nuk fillon që në moshën 6-vjeç dhe jo më 19, atëherë nuk mund të kesh një ekip A. Kështu që ne bëjmë kujdesin maksimal për moshat që të kemi të ardhme të sigurt dhe besoj se e kemi të mirë. Djemve i kërkova që të japin maksimumin dhe i kemi mundësitë që të arrijmë larg.

Çfarë ju thatë djemve, duke qenë se për ata është një emocion?
Që duhet të bëni maksimumin për këtë fanellë. Nuk duhet të keni peng asgjë, pra të mos thoni as që “pse nuk bëra edhe një centimetër”… Këtë pyetje nuk duhet t’ia shtrojnë vetes gjithmonë.

Nga të rinjtë te kombëtarja e madhe dhe dy ndeshjet “big”, ndaj Spanjës dhe Italisë. A kemi potencial apo kualitetin e duhur për të marrë rezultat, sepse edhe ndaj Italisë treguam se mund të bëjmë diçka?

Siç dihet, janë skuadra të mëdha, por ne do të bëjmë maksimumin dhe nuk mund të pranojmë humbjen pa luajtur. Duhet të bëjmë gjithçka mirë, edhe pse fatkeqësisht kemi shumë mungesa. Kundër kundërshtarësh të këtij tipi duhet të kesh më shumë se 30 futbollistë në dispozicion, ne kemi edhe disa të dëmtuar. Por, gjithsesi ata që do të luajnë do të bëjnë maksimumin. Duhet të tentojmë gjithçka, të parën dhe të dytën. Besoj se do të tentojmë diçka. Grupi ynë është vendosur pak a shumë i pari, i dyti dhe i treti, ndaj lojtarët nuk duhet të ndihen nën presion psikologjik, por duhet të bëjnë më të mirët. Janë ndeshje që vihen nën vëmendjen e gjithë opinionit evropian, sepse luajnë kampionët e botës dhe të provojmë sa më shumë futbollin shqiptar dhe urojmë të arrijmë një rezultat pozitiv.

Atmosfera është dukur vërtet pozitive. Spanja ka problemet e veta me çështjet politike. Mund të shfrytëzohet ky moment. Xhani de De Biazi tha “fitoni ju në Spanjë dhe vini nën presion Italinë dhe jam me ju”?

Realisht, De Biazi më ka shkruar mesazh dhe më tha fitoni ndaj Spanjës dhe bëheni heronj në Itali, por në formë batute ia ktheva se do të fitojmë si me Spanjën, ashtu edhe me Italinë. Spanja vërtet ka probleme por ka kualitete të jashtëzakonshme. Duhet ta pranojmë këtë. Mund të them pa vështirësi që Spanja është realisht skuadra më e mirë në botë, por gjithsesi luajmë me 11-të… Të shohim çfarë jep fusha e lojës. Të përfitojmë nga çështja e brendshme e tyre dhe pastaj le t’i zgjidhin ato problemet politike që kanë pasi të luajnë me ne.

Vendi i tretë mund të quhet objektiv i arritur, pasi vetëm mkreullia do të bënte që të kalonim Spanjën dhe Italinë?

Le të themi që jemi brenda objektivave të caktuar në letër përpara se të nisnin këto eliminatore. Kemi bërë një hap fals ndaj Izraelit në Elbasan. Rikuperuam në Izrael. Gjëja që mund të kemi pishman është 3 pikëshi me Izraelin në shtëpi. Të tjerat që kemi bërë i kemi arritur. Por, kemi edhe dy ndeshje, ndaj le të kërkojmë për më shumë, pse jo. Nuk mund të dorëzohemi pa përfunduar kualifikueset.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *