Duka: Klubet akuzojnë për gjithçka federatën, zgjidhja është krijimi i Ligës

Në intervistën e lëshuar për Supersportin mbrëmjen e djeshme, presidenti i FSHF-së Armand Duka preku tema të ndryshme, duke përfshirë atë të trukimeve në futbollin shqiptar, dënimin e Skënderbeut dhe ankesat e klubeve ndaj Federatës. Për të gjitha Duka ka një përgjigje…

Të flasim për kampionatin shqiptar të futbollit. Kukësi u shpall kampion pas episodeve të shumta, arbitrimit, gabimeve dhe polemikave. A ishte ky vit më i keqi. Marr shkas edhe për fillimin e këtij edicioni, sezonit të ri.

Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim negativ nga 2016 te 2017. Për mua, ashtu si kanë ecur të gjitha gjërat, kanë ecur edhe arbitrat. Nuk mund të them që janë minimizuar ose shtuar gabimet njerëzore, pasi këto ekzistojnë, ashtu si ekzistojnë të gjithë njerëzit që merren me përgatitjen për arbitrat, kontrollin dhe që ky progres e gabimet të minimizohen.

Si e komentoni përjashtimin e Jeminit, apo masat për Koçin dhe Jorgjin?

Ky është rregulli dhe s’mund të bëj përjashtim nga ky rregull i shkruar apo pashtruar. Vendimet apo pezullimet nuk publikohen. Kjo është marrëdhënie pune që kur gjykohet që ky arbitër nuk është në performancë dhe ka gabuar, merren vendime.

Në konceptin tuaj, gjyqtarët janë të paaftë apo të korruptuar?

Gabime jonjerëzore i kanë minimizuar në Shqipëri, por jo përfunduar. Jemi pjesë e kësaj shoqërie, ku ndikojnë edhe marrëdhëniet korruptive, apo marrëdhëniet e trafikut të interesave, apo miqësore, por nuk mund të them se janë eliminuar, edhe pse minimizuar. Ka aq shumë ndeshje në Shqipëri, por nuk flasim për ndeshjet në Superiore, ku ka vetëm gabime njerëzore sipas meje dhe jo gabime të tjera. Zhvillohen mbi 200-300 ndeshje në javë, kështu që janë pjesë e kësaj shoqërie. Janë këto njerëz. Janë minimizuar gabimet, por gabimet arbitrare mendoj se janë më shumë se ato korruptive.

Një emër i madh si Tirana ra në kategori dhe përbën ngjarje. Komenti juaj?

Patjetër që përbën ngjarje, sepse për të parën herë në histori, një ekip i madh me shumë trofe ra në kategori. Por, kjo është lojë, ku duhet të kesh edhe pak fat… Nuk mund të themi që ishin më të dobëtit, por edhe fati nuk e ndihmoi. Më erdhi keq dhe u përpoqa me të gjitha mundësitë e mia josportive, sepse sportive nuk kam mundësi, të kontribuoj që Tirana të mos binte apo ringjitej. Por, realisht që Tirana të ringrihet dhe të rikthehet ku ka qenë, duhet të bëjë mirë në pikëpamjet menaxheriale dhe sportive, ashtu si po ndodh, ndaj besoj se do të kthehet. Dhe, uroj që të mos ndodhë këtë sezon me një ekip aq të madh sa Tirana. Të gjitha ekipet e kategorisë Superiore që luftojnë për mbijetesë dhe janë në fund të renditjes, janë me histori dhe do të ishte dhimbje koke për çdonjërin nga ne nëse do të binte. Kjo është ekonomia e tregut sot…

Të flasim për akuzat ndaj jush, për Partizanin dhe Flamurtarin, që vënë në dyshim integritetin dhe vërtetësinë e garës…

Në çdo rast, çdo ekip që humbet dhe nuk arrin atë që dëshiron, është bërë si traditë në Shqipëri që ta kërkosh gabimin te tjetri. Dhe, te federata e kërkon më lehtë. Madje, edhe kur nuk ka drita, fajin e ka federata, por fajin e ke vetë kur nuk arrin një rezultat. Futbolli i vërtetë është loja e gabimeve arbitrare, sportive etj, por në fund merr atë që meriton. Me shumë dashamirësi e them me çdo lloj trajneri apo drejtuesi, pasi këtë e bëj edhe me kombëtaren, në momentin kur t’i përpiqesh ta transmetosh përgjegjësinë sportive diku tjetër, i bën dëm ekipit tënd. Sepse, skuadra sheh që nuk ka përgjegjësi për atë që nuk ka arritur. Me shumë dashamirësi, e them – dhe kjo ka lidhje me formën e administrimit të sistemit të Superligës, me krijimin e Ligës Profesioniste – nëse ke probleme dhe halle duhet t’i zgjidhësh brenda familjes së futbollit dhe duhet t’i zgjidhësh brenda lojës, sepse dëmton këtë garë dhe produkt. Shprehja për të justifikuar rezultatet apo shfajësuar, dëmton produktin e përbashkët që kanë të gjithë. Do të ishte më mirë një zgjidhje institucionale, se sa mediatike.

Federata mori vendimin duke i hequr titullin Skënderbeut, por në grupet e Europa League ju pamë si ultras të Skënderbeut. E pamë edhe me Kukësin. Raporti me garën në vend dhe atë jashtë, si është? Dhe, a keni një përgjigje për ata që i bezdiste festa juaj?

Në fakt, atë mëkat që kam bërë me Skënderbeun, duke festuar, e kam bërë edhe me çdo kombëtare nga A te moshat. Dhe, do ta bëja sërish atë mëkat.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan kryesisht, si Kroaci, apo Serbi, ka rënie të numrit të tifozëve. Kemi ndonjë arsye për këtë rënie duke pasur parasysh se kemi impiante të reja apo rindërtuar?

Nuk dëgjoj gjëra të ndryshme nëse ka rritje apo rënie. Nuk kam një statistikë që të them që vërtet ky numër ka rënë. Nuk mund ta pranoj që ka rënë. A ka rritje? Jo. Çfarë duhet të bëjmë më shumë? Niveli është i mirë dhe me garë e terrene shumë të mira dhe ambiente të pranueshme. Dhuron edhe spektakël, ndoshta pak gola, jo aq sa një spektator do të donte të shihte, por më mirë se vendet e rajonit.

Tre apo katër vite më parë vinin thuajse çdo javë dose nga UEFA për ndeshje të dyshuara. Si është raporti në këtë moment. A ka ndeshje të dyshuara apo dosje?

Kemi pasur shumë, në një periudhë kur ne bëmë Kupën me grupe. Sot, nga Kategoria Superiore pothuajse nuk ka. Nuk them që janë zhdukur, por minimizuar, por me gishtat e një dore mund të numërohen. Ka ende në Kupë ndeshje të dyshuara, apo jo provuara. Nëse do ta bënim me herë, janë 20 herë më pak.

Pse nuk bëhen publike?

Nuk është e lehtë, sepse nëse bën publik dyshimin e paprovuar, do të thotë që t’i dëmtosh imazhin një klubi që nuk ke të drejtë. Për sa kohë nuk e ke provuar, nuk e bën publike.

Në Superiore ka rënie dhune deri në zerim. Por, në kategoritë më poshtë, inferiore, kjo nuk ndodh. Marr shkas nga ndeshja mes Përmetit dhe Këlcyrës. Çështje emancipimi, apo edhe FSHF duhet të ndërhyjë?

Minimizimin në Superiore duhet t’ia atribuojmë vetë klubeve. Kanë një lloj respekti reciprok dhe shumë më shumë se sa në të shkuarën. Patjetër që edhe falë punës së federatës u arrit. Nuk them që është shtuar dhuna në ekipet inferiore.

Si ju duket menaxhimi i klubeve, disa me kapital shtetëror, si Vllaznia?

Është e vetmja me kapital 100% aksioner Bashkinë, ashtu si Lushnja. Forma juridike, shoqëri aksionere është e njëjtë, por teorikisht organizimi është i mirë. Nëse merr vendime, pavarësisht se je pronari, teorikisht duhet organizuar mirë. Por, eksperienca ka treguar se kur janë aksionerë individë privat, e ndihmojnë më shumë se sa shtetëror. Futbolli është aktivitet popullor, por drejtimin duhet ta kenë individët, që ta bëjnë më mirë punën.

Si i shihni presidentët e klubeve, a kanë ndryshuar? Dhe, cili është presidenti i vitit?

E kam të vështirë të zgjedh presidentin e vitit, pasi do të bëja presidentin e vitit për karakteristika. Gjici? Presidenti i vitit për disa gjëra që i komentoni ju me rigorozitet, për disa sjellje që bën për ndërrime trajnerësh e kështu me radhë. Të gjithë janë maksimalisht të impenjuar, por ka shumë për të bërë. Mendoj që e bën mirë menaxhimin e një klubi kur në fundvit bilanci të jenë në +1. Kur e ke negativ, nuk mendoj se e ke bërë mirë. Një pjesë e kanë arritur, por jo të gjithë. Me krijimin e Ligës, uroj të dalin +, më shumë se “1”.

Klubet ankohen për të ardhurat, si ligji i sponsorizimit. Mund të bëni diçka në lidhje me shtetin, për ta bërë taksë “free”, atë që ata paguajnë në 20 dhe 15%?

Kemi ripropozuar një paketë ligjore, me ardhjen e zëvendës ministrit Shkurti në Ministrinë e Sporteve, sepse kështu është mënyra e organizimit. Kemi propozuar këtë paketë që do të ndihmonte zhvillimin e sportit dhe futbollit. Qoftë për taksat, subvencionet dhe lehtësirat, apo inçentiva që do t’i bënin më të interesuar lojtarët, njerëzit dhe investitorët. Vetëm për pasion është vështirë që njerëzit të investojnë.

Liga e futbollit, pse kaq e rëndësishme, pasi disa vende të rajonit nuk e kanë (Maqedoni, Serbi)?

Ka ardhur koha që është e domosdoshme që të krijohet Liga Profesioniste. Për mua, për një arsye madhore, që aktorët të ulen në një tavolinë dhe janë një grup interesi më i vogël brenda një interesi të madh brenda familjes së futbollit. Kanë një produkt të përbashkët që është më kualitativi dhe elita e futbollit në Shqipëri dhe çdo vend të cilët duhet ta trajtojnë në produkt, duke maksimizuar të ardhurat. Jo për të çuar para në shtëpi, por investuar e përmirësuar sportin. Kjo kërkon transparencë dhe besim mes tyre. Kjo duhet të ishte nisma e tyre, jo e federatës. Ka skepticizma nga ndonjë klub. Do t’i ftoja që mos shihnin krijimin e Ligës me emra të veçantë, pra kush është sot presidenti i federatës apo ndonjë klubi, por të shohin interesat e veta.

Pse po merret federata me këtë nismë?

Kjo është një nismë që i intereson klubeve dhe federata merr rolin e nismëtarit, deri në momentin e finalizimit të statutit. Pastaj, Liga hyn në partneritet, pasi është federatë brenda federatës, grup i vogël interesi. Për përmirësimin dhe zhvillimin e produktit ku ata marrin pjesë. Patjetër që ka partneritet edhe me federatën. Të mos e shohin me mosbesim dhe dashakeqësi me federatën.

Kur mund të jetë gati?

Jemi në rrugë të mbarë. Uroj që presidentët e klubeve të bien dakord me statutin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *