Duka: Ju tregoj të vërtetën me Rejën, Panuçin e hoqa që të fitonim

Armand Duka, presidenti i FSHF-së, ka folur në Supersport për fitoren që Shqipëria mori me Andorrën me rezultatin 0-3. Ai sqaroi edhe çështjen e trajnerit të ri dhe për deklaratën e Edi Rej.  “Jam i kënaqur me rezultatin. Nuk e mendoja të lehtë dhe nuk ishte. Do isha i kënaqur edhe më një rezultat minimal, 3-0 akoma më shumë. Kualifikueset sapo kanë nisur. Mund të kishim më shumë pikë., Ka shumë ndeshje dhe kemi mundësi për të bërë mirë. Kemi një transfertë të vështirë në Islandë, duhet të ndërtojmë stafin. Pas asaj ndeshjeje do të shohim”.

“Nuk kam menduar për asnjë emër. Ishim të përqendruar për të përgatitur ndeshjen me Andorrën. E komplimentoj Bulkun dhe Memën. Tanin nisim të mendojmë. Humbëm me Turqinë dhe nuk kemi pse qajmë se humbëm, do humbin edhe të tjerët. Në këtë fushë një nga ekipet do ngecë. Gëzohem që nuk ishim ne”.

“Deklarata e Edi Rejës? E kam lexuar, nuk i referohet emrit tim. E kam takuar dhe kam diskutuar se si e pa skuadrën. Nuk kishte ardhur për të qenë trajner. Më tha që është e vështirë me atë që pa me Turqinë. I thashë që kemi emra të mirë. Nuk ka një propozim  në tavolinë nga ana jonë”.

“Trajner shqiptar? Nuk besoj. Ka bërë punë të mirë Bulku dhe Mema këto dy ditë. Në një situata të tillë, kur vendosa para Andorrës ta largoja trajnerin prisja reagim. Kështu ndodhi. Pati dëshirë në fushë, normal pati luhatje dhe momente stresuese. Me një rezultat 1-0 je gjithmonë në stres. Lojtarët me eksperiencë e morën përsipër ndeshjen”.

“Shkarkimi pas Skocisë? Nuk jam penduar, kam pasur bindjen që nuk kemi mundësi të ndryshojmë. Isha i bindur se Panuçi me stafin mund ta përgatiste më mirë. Pashë që nuk kishte ndryshim dhe duhet të fitonim me Andorrën. Ndaj e hoqa. Mund të ketë edhe shqiptar që ta drejtojnë Shqipërinë. Do ishte mirë që kombëtaret të kenë trajnerë vendas. Kemi marrë disa avantazhe nga të huajt. Duhet të vëmë në peshë trajnerët shqiptarë dhe të huaj. Më pas do vendosim”.

“Afrimet nga U21? Nuk është për të ngrohur lojtarët, por ata që mund ta ndihmojnë ekipin. Nuk ka dallime moshe, krahine apo çdo gjë tjetër. Ishte Lima i Andorrës, 40 vjeç. Ishte në kombëtare se nuk ka më të mirë. Më të mirët vijnë aty, duhet merituar. Çdo trajner duhet të zgjedhë më të mirët. Edhe Turqia kishte Emre, 38 vjeç”.

“Bota e futbollit është zvogëluar, të gjithë trajnerët i njohin ekipet. Edhe ne i njohim, madje edhe klubet, specifikat dhe lojtarët që kanë. Me mjetet e informacionet nuk ka më trajnerë që nuk njohin ambientin. Ndryshimi i trajnerit të huaj me atë vendas është vetëm te njohja e mentalitetit”.

“Trajneri, me plan afatgjatë, apo? Nuk është shumë e lehtë të përcaktosh sa do zgjasë. Edhe me Panuçin e kishim menduar deri në nëntor. Askush nuk do marrëveshje të shkurtër. Ajo vlen jo vetëm për atë, por edhe për ne”.

“Festa në dhomat e zhveshjes? Është e vërtetë që u krijua një lloj stresi, jo artificial. Nëse shikoni ndeshjet e Andorrës, kanë humbur vetëm me Islandën. Më vjen mirë që ekipi e kishte ndjerë përgjegjësinë e ndeshjes dhe festoi sikur të ishim kualifikuar në Europian”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *