Duka: Jam surprizuar nga Superiorja, ju tregoj lojtarin që më befasoi

Dilaver Duka, mesfushori i afruar në janar te Partizani, arriti të shpallej në pak muaj kampion me “demat e kuq”. Dëshira e tij është të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës kryeqytetase dhe e thotë hapur në konferencë për shtyp. “Klubi dhe skuadra ka pësuar shumë rritje. Kam pasur një eksperiencë shumë të mirë këtu. Në përfundim të sezonit do bisedoj për rinovimin me drejtuesit. Dua të qëndroj këtu”, u shpreh mesfushori fillimisht.

Në të shkuarën ka qenë kandidat për në kombëtare, por ai nuk dëshiron ta kthejë kokën pas.“Nuk mund të flas për kombëtaren, mund të flas vetëm për Partizanin. Fola me trajnerin Gega. Ai më shpjegoi planet e tij dhe jam ndier mirë për këtë zgjedhje”, shton Duka.

Në lidhje me futbollin në Shqipëri, mesfushori deklaron:  “Çdo shtet është ndryshe. Luhet në mënyra të ndryshme. Këtu më surprizoi niveli i futbollit. Këtu ka mjaft talente, ndoshta nuk është një kampionat më shumë emër në Europë, por kualiteti mbetet”.

Duka ka pasur mundësinë të punojë me shumë trajnerë dhe Gega është një ndër ta. “Çdo trajner ka pikat tij të forta dhe te dobëta. Xhesi Marsh është gjithashtu një trajner shumë i mirë me të cilin kam punuar. Gjithsesi, në fund mbahen mend njerëzit që fitojnë. Gegës i takojnë të gjithë meritat”, u shpreh futbollisti i “demave”.

Në fund, i pyetur për lojtarin që i ka tërhequr vëmendjen, Duka thotë: “Nuk mund të veçoj një lojtar, pasi do të lija shume vetë jashtë dhe kjo nuk është e drejtë. Gjithsesi meqë po më pyesni po përmend një emër. Bruno Telushi, e pashë që në fillim qe ishte një lojtar i mire dhe me teknikë. Kane kaluar katër muaj dhe mendimi im për të nuk ka ndryshuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *