Duka: Ja si futbolli kthehet fitimprurës, aktiviteti fillon që nesër

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Top Talk” në “Top Channel”, ku diskutoi në lidhje me mbledhjen e bërë sot në Tiranë midis FSHF-së, presidentëve të klubeve dhe krerëve të qeverisë.

KOSTO E POLICISË – “Faturën e paguajnë taksapaguesit shqiptarë dhe njerëzit e futbollit janë taksapagues si të gjithë shqiptarët. Policia ka qenë e pranishme në stadiume, por në mënyrë selektive, tani polica është së bashku me Federatën”

“Jemi të vetëdijshëm për ligjin, por situata nuk na lejon të zhvillojmë ndeshjen pa policinë. Duhet disa kohë që arrijmë deri në atë lloj standardi”.

“Federata e futbollit merr 0 fonde nga shteti dhe as nuk  pretendojmë të marrim, ky nuk është mentaliteti jonë. Megjithatë, politika ka në dorë të sigurojë mbarëvajtjen e kësaj industria, ashtu siç bën me industri të tjera si turizmi për shembull”.

REAGIMI I DHUNSHËM – “Futbolli është garë dhe nuk është aq e lehtë. Në një garë emocionet nuk mbahen lehtësisht. Nëse nuk vepron ligji, çdo njeri i shfryn emocionet e tij sipas mënyrës së tij. Nëse ligji vepron të gjithëve u thuhet: Kujdes mos shkel se do ta paguash! Tani për tani ligjet që janë nuk po zbatohen dhe dyta, duhet që ligjet aktuale të ashpërsohen që të njerëzit të kenë frikë nga ligji”.

FUTBOLL FITIMPRURËS – “Futbolli shqiptar jo vetëm mund ta mbajë veten, por mund të bëhet dhe fitimprurës. Megjithatë që të bëhet i atillë, duhet që futbolli të formalizohet e të mbështet me lehtësira fiskale. Nga vështirësitë financiare që kanë klubet, ato nuk deklarojnë të ardhurat faktike të futbollistëve. Sot u premtua se do hiqet taksimi mbi tatimin në fitim për të ndihmuar klubet që të deklarojnë të ardhurat e plota”.

KALENDARI – “Nesër ka ndeshje të Kupës së Republikës. U tha që policia dhe ne do të bashkëpunojmë dhe besoj se në orët në vazhdim do të gjejmë gjuhën e përbashkët që ndeshjet të fillojnë që nesër”.

ARBITRAZHI SPORTIV – “Kjo nuk duhet të jetë një gjykatë vetëm sportin në Shqipëri, por një gjykatë për të gjithë sportet në vendin tonë. Aktualisht ekziston arbitrazhi i komiteti olimpik, por për momentin është jo-funksional, ndoshta me një modifikim mund jetë po ky institucion që ta luajë këtë rol”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *