Duka hap shampanjën: Fitoi fair play, të bëhet mësim!

0

Presidenti në konferencë: “Respektova vendimin e Disiplinës dhe Apelit të UEFA-s, por kisha besim në KAS, ku e drejta fitoi. Shumë e lodhshme pritja, kosto e papërfillshme. Serbët tani i presim si miq”

Anton Cicani

“Jam realisht i emocionuar dhe i gëzuar. Jo se ishte një vendim të cilin nuk e mendoja, por duke qenë një vendim tepër i rëndësishëm, shumë i debatuar dhe i diskutuar, edhe në një kohë të gjatë, por çfarë mund të mos vinte sot. E drejta fitoi, jo vetëm tri pikët që morëm ne. Fitoi futbolli shqiptar. E kam thënë pas asaj ndeshje në Beograd dhe përpara se të gjykonte komisioni i Disiplinës në UEFA. Nuk duhet të gjykojë për renditjen e grupit, apo nëse do të shkojë apo jo Shqipëria në Europian, por duhet të gjykojë me idenë që futbolli të përçojë atë mesazh që është fair play. Ajo ndeshje nuk ishte fair play dhe drejtësia më në fund vërtetoi atë që thamë edhe ne. Vendimi është goxha i gjatë, avokati Hajdari ka diçka më shumë mbi detajet, por gjithësesi, në vija të përgjithshme, nuk bëhet fjatore Shqipëria për mosrifutjen në fushë, apo për ndërprerjen e ndeshjes dhe, në mënyrë simbolike, diçka që më pëlqeu, ishte që detyruan serbët të paguanin edhe shërbimet e gjyqit”…

–              Kjo është fitore e plotë, sepse na mundëson plejofin, pasi Serbia është -2 pikë, pasi është lënë në fuqi vendimi i Disiplinës dhe praktikisht jemi 12 pikë larg tyre dhe 9 larg Armenisë. Kush do të jetë armiku kryesor i Shqipërisë tani?

–              Miku dhe armiku kryesor i ekipit tonë jemi vetë ne. Ne duhet të bëjmë kujdes, sepse janë katër ndeshje që mund t’i fitojmë dhe humbasim të katërta.  Janë rivalë si Danimarka dhe Portugalia, të cilët janë të fortë dhe duan kualifikimin direkt. Serbia luan pa ngarkesë emocionale në Shqipëri, por besoj se kemi hedhur hap të sigurt. Jam shumë i gëzuar si çdo shqiptar. Kjo ka qenë një betejë, futbolli është sporti më i rëndësishëm dhe është beteja që ka përfshirë çdo shqiptar. Për arsye dëshire, dikush ka humbur dhe arsyen, edhe ata që kanë humbur arsyen, sot edhe ata janë të gëzuar. Fitorja e futbollit është më e rëndësishme sesa pikët. Edhe pa këto tre pikë ne e kishim të sigurt vendin e tretë dhe luftojmë për vend të dytë ose të parë.

–              A e mendoni si fitore të dyfishtë ndaj Serbisë dhe UEFA-s, pasi na u bë një padrejtësi në dy shkallët e drejtësisë?

–              E kam thënë dhe me parë që do të respektoj vendime te institucioneve dhe për derisa drejtësia ka këto tre shkallë, vetë statutet dhe rregulloret e UEFA-s parashikojnë këto hapa, nuk besoj se ka të humbur. Por, vetëm të fituar dhe ky bëhet një mësim për të gjithë, edhe për ne. Shpesh mund të kemi ngjarje të dhunshme në stadiume. Besoj se edhe tifozët serbë kanë mësuar se si duhet të sillen, ndaj ka fituar edhe futbolli serb në këtë pikë.

–              A është kjo fitorja më e rëndësishme, pasi pavarësisht asaj në fushë, ndaj Portugalisë, kjo ka një shije krejt tjetër

–              Ishte shumë e rëndësishme, duke e parë në shumë këndvështrime. Shumë e lodhshme dhe në një periudhë kohore shumë të gjatë, pasi futbolli e jep rezultatin në fushë dhe kohë reale.

–              Sa i kushtoi e gjithë kjo ndjekje proçeduriale dhe avokatie Federatës Shqiptare të Futbollit?

–              Më shumë se gjithçka kanë kushtuar emocionet e gjithë shqiptarëve që e kanë pritur me padurim një vendim dhe mendoj se e kanë pritur ashtu siç e mendoj edhe unë, sepse mendonin se shqiptarëve nuk i jepet drejtësi.

–              Megjithatë, fatura financiare qëndron…

–              E papërfillshme me kënaqësinë dhe gëzimin që i ka sjellë tifozëve

–              Lajmin e morët vesh sot (dje) apo dje (të enjten)?

–              Nuk kam ditur asnjë lloj informacioni përpara se të dilte njoftimi zyrtare, ndaj edhe unë e mësova kur u publikua.

–              Presidenti, me këtë verdikt të KAS-it, jemi zyrtarisht e treta më e mirë dhe kualifikimi në Francë është shumë më pranë. Keni nisur përgatitjet?

–              Kemi vizituar hotelet që përpara dy muajsh për të qenë të sigurtë në çdo lloj grupi që do të jemi ne dhe se ku mund të akomodohemi

–              Mesazhi i parë në telefon, urimi apo edhe njoftues?

–              Kam marrë jashtëzakonisht shumë dhe i falënderoj ndërmjet medieve dhe ekranit, sepse në telefon. Por, mesazhi i parë më ka ardhur nga avokati Rigoci dhe më tha: “Kjo është një fitore e madhe, sot nuk do të punoj!”.

–              Aludimet e presidentit Platini për dronin…

–              Ta sqarojmë këtë gjë, siç tha edhe avokati, që edhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv na ka gjetur fajtor për dronin. Siç gëzohemi edhe duhet të nxjerrim mësimet tona për atë çka jemi penalizuar. Nëse është futur në fushë nga një shqiptar, ne nuk kemi ç’koment t’i bëjmë. Nuk kemi qenë fajtor për ndërprerjen e ndeshjes. Edhe komentet janë të tepërta. Është vendim që është marrë më parë nga mediat botërore dhe opinioni botëror, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka marrë vendim të drejtë.

–              Cili është mesazhi juaj për tifozët kuqezi për ndeshjen e kthimit në Shqipëri, ndaj Serbisë, pasi mund të jemi ne të rrezikuar?

–              Ky vendim jo vetëm që i jep tri pikët Shqipërisë, por ky vendim jep mesazh që duhet të ndahet futbolli nga pjesët e tjera. Tifozët dhe ne duhet të jemi bashkë që ta ndihmojmë për të ecur përpara Kombëtaren. Shkojmë në ndeshjen kundër Serbisë për asnjë lloj hakmarrje në atë ndeshje, pasi kemi marrë tri pikët, por vetëm të fitojmë në fushë. Ne jemi aq të qytetëruar sa t’i tregojmë botës që ne jemi aq të qytetëruar sa ti presim miqtë si miq. Do t’i presim sportistët si sportistë.

–              Duke shpresuar që stadiumi të jetë gati?

–              Ne një stadium e kemi gati, shpresojmë që të kemi edhe të dytin

–              A ka lëvizur diçka për rinovimin e De Biazit?

–              De Biazi e ka kontratën deri në qershor dhe ka shumë kohë deri atëherë për të biseduar për rinovimin. Përderisa ne do të shkojmë në Francë, edhe de Biazi do të jetë në Francë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image