Duka flet hapur: Ju tregoj pse nuk e largova Panuçin!

Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur më në fund për të ardhmen e trajnerit Kristian Panuçi dhe ka theksuar se nuk mund të bënin ndryshime tani, pasi trajneri i ri nuk do të kishte mundësinë ta shihte ekipin para takimeve zyrtare.

“Kjo nuk do të thotë që tani nuk duhet të marrim vendime të nxituara. Trajneri ka të mirat dhe të këqijat e veta gjatë këtij edicioni. Ne nuk kemi luksin të bëjmë asnjë lloj ndryshimi tani që jemi vetëm për ndeshje zyrtare në mars”, është shprehur Duka fillimisht në TV Klan.

Numri një i Federatës theksoi se duhet mbështetur trajner Panuçi, nëse duam të kemi rezultate pozitive. “Ne mbetemi skuadër modeste. Mund të bëjmë mirë nëse të gjithë mendojmë pozitivisht dhe të vazhdojmë ta mbështesim trajnerin dhe stafin për kualifikueset e Europianit”.

Tani nuk ka më justifikime për italianin dhe në njëfarë mënyre Duka e thotë diçka të tillë: “Ka pasur kohën e mjaftueshme stafi për të bërë le të themi shumë eksperimente dhe për të fituar disa lojtarë si Uzuni e Ismajli. Besoj se është konsoliduar skuadra, është konsoliduar dhe në mendjen e stafit se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë”.

Në fund ai foli edhe në lidhje me bisedën e bërë sot me Panuçin. “Diskutimi me trajnerin sot pas ndeshjeve zyrtare dhe miqësore për ato gjëra që mund të mos jenë bërë mirë dhe që mund t’i korrigjojmë për të ardhmen. Flas në pikëpamjen organizative, pasi nga pikëpamja teknike nuk është se unë mund ta ndihmoj atë”, përfundoi Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *