Duka: Donadoni më pëlqen. Ja çfarë më tha Panuçi kur e shkarkova

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emision “Opinion” në “TV Klan”. Kreu i FSHF, foli mbi vendimin për të shkarkuar trajnerin Panuçi, gjendjen e kombëtares dhe kandidatët potencialë për stolin e kombëtares.

“Akoma nuk kemi një trajner të zgjedhur. Bulku dhe Mema ishin një zgjidhje emergjente për atë ndeshje dhe tani. Shkarkimi nuk ishte faret i papritur. Vendimi u mor në varësi të performancës ndaj Turqisë. Aty u vërtetua se nuk kishte mundësi për ta inkurajuar më ekipin. Shprehja e ekipit dhe atmosfera nuk është se ka qenë e pranueshme. Ishte një kimi që nuk shkonte”.

LOJA NË ANDORRË – “Jo për faktin se Panuçi i kishte bërë mos të ishin të lirë, por për faktin se futbollistët ndjenë më shumë përgjegjësi, pasi nuk kishin një “timonier” zyrtar, por një timonier të improvizuar. Dua ta përgëzoj Bulkun dhe Memën, bënë maksimumin”.

MOMENTI I SHKARKIMIT – “Për të qenë i sinqertë kemi qenë në diskutim me stafin teknik të federatës dhe e lamë që ta diskutonim pas ndeshjes me Turqinë. Vendimi u mor në bashkëpunim me stafin. E mora në mëngjes dhe i thashë: Mister situata është e vështirë. Ai më tha merr vendimin që duhet. E takova në hotel”.

TRAJNERI I RI – “Tani realisht nuk kemi marrë një propozim ose kemi bërë një ofertë për të gjithë teknikët që kam lexuar në media. Unë kam kontaktuar vetëm Edi Rejën në stadium, edhe një trajner tjetër italian Kalori, por ishte diçka rastësore”.

BESNIK HASI –“Ne ja kemi propozuar njëherë Hasit ekipit kombëtare, 6 ose 7 vite më parë, para se të vinte De Biazi. Është një trajner shumë i mirë mund të jetë kandidat. Rikthimi i De Biazit? Jo nuk e besoj.”

DONADONI – “Trajner shumë i mirë, nuk e di nëse është i gatshëm të vijë në Shqipëri dhe a është i gatshëm të pranojë ofertën tonë. Donadoni do të më pëlqente, por është një kandidat që e kam parë nëpër media, nuk e di nëse ai është i interesuar për këtë gjë. Nëse po me kënaqësi.

BUXHETI PËR TRAJNERIN – “Buxheti jonë vjetor është 200-250 mijë euro. De Biazi ishte një trajner i mirë dhe më këtë buxhet paguhej.”

MUNDËSI PËR RRITJEN E BUXHETIN – “Nëse ndërhyn kryeministri po. Ka shumë shtete që paguajnë trajenët. Bëj shaka (qesh), nuk kam kontakt me kryeministrit, thjesht një batutë”.

I HUAJ APO SHQIPTAR –“Nuk mund të them se do të jetë i huaj ose shqiptar. Një trajner shqiptar ka një plus, pasi njeh ambientin dhe mentalitetin e lojtarëve dhe opinionit sportiv. Nuk mendoj se kemi ende trajner që mund të ndërtojnë ekipe me pretendime për evente ndërkombëtare”.

GJENDJA E KOMBËTARES – “Kombëtarja ka potencial për më shumë. Asnjëherë nuk kemi pasur në ekip pesë futbollistë të Serie A. Tani të gjithë futbollistë luajnë në ndryshim nga viti i kaluar. Kjo ishte një ndër arsyet që u zhgënjyem në ndeshjen ndaj Turqisë, pasi prisnim më shumë”.

FUTBOLLISTËT NGA KOSOVA – “Çdo futbollist është i lirë të luajë ku të dojë. I fundit është Ismajli që ka zgjedhur të vazhdojë me ne”.

KAMPIONAT I PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË “Për sa kohë ka dy shtete, ka dy kampionate. Gjithsesi kjo nuk të ndalon që të bësh turne të tjera. Ka kohë që ne bëjmë një kupë, por që nuk është bërë në nivelin e duhur. E kam fjalën për Kupën Pavarësia, mund ta zhvillojmë dhe ta bëjmë në një kompeticion më të mirë.”

KAMPIONATI – “Kampionati po vjen drejt fundit dhe si çdo kampionat që vjen drejt fundit ka akoma më shumë përplasje”.

INFORMALITETI NË FUTBOLL  – “Futbolli shqiptar është si pjesa tjetër e ekonomisë shqiptare. Një vend që e ka 60% të biznesit informal, nuk ka se si të ketë futboll formal”.

OBJEKTIVAT E KOMBËTARES – “Objektivi jonë mbetet për të qenë të dytët në grup. Siç humbëm në Shkodër, mund të fitojmë në Shqipëri. Asnjë ekipi nuk do i shkojë vaj, qoftë edhe me Andorrën”.

INVESTIMET – “Për të pasur një futboll që të konkurrojmë ne nivelet që ne pretendojmë duhen investime nga pushteti qendror dhe vendor. Në Shqipëri janë rikonstruktuar ato ambiente që kanë ngelur. Na duhen 10-fish më shumë fusha sportive për të plotësuar nevojat”.

INAUGURIMI I STADIUMIT – “Objektivi është që luajmë në qershor kundër Moldavisë, por është diçka e vështirë. Në marrëveshjen me kompaninë është  e shkruar që ndërtimi mbaron në qershor, nëse jo do luajmë në shtator”.

EMRI I STADIUMIT – “Emri i stadiumit do të komercializohet, në mënyrë që të japim të ardhura stadiumit. Së shpejti do të fillojmë procedurat. Këtu në këtë vend po diskutohet të kemi këtë emër e këtë, por këtë praktikë bëjnë dhe në Gjermani si për shembull “Allianz Arena”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *