Emërimi i Panuçit, ngërçi me qeverinë dhe Superiorja, Duka i prek të gjitha

0

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka qenë i ftuar në emisionin “Kampionët” në “Vizion Plus” , ku ka folur për çështje të ndryshme të futbollit shqiptar, duke filluar nga infrastruktura, çështja Skënderbeu dhe rivaliteti i këtij sezoni, ndërsa nuk është lënë jashtë vëmendjes as kombëtarja shqiptare.

“2018-ta është një hap pozitiv për futbollin shqiptar. Gjithkund ka pasur hapa pozitivë. Hapat pozitivë nuk maten vetëm me rezultate, por me të gjitha gjërat në përgjithësi. Natyrisht mbeten ende shumë problematika”.

INFRASTRUKTURA – “Tanimë kemi një stadium modern në Elbasan, një tjetër në Shkodër, do të mbarojë së shpejti “Arena Kombëtare”, ndërsa kemi një projekt tjetër në Kukës. Sigurisht nuk mjaftojnë, pasi numri i personave që luajnë futboll në Shqipëri është rritur shumë”.

ÇËSHTJA SKËNDERBEU – “Skënderbeu ka një problem juridik. Ata akuzohen për trukim dhe po mbrohen për këtë gjë, pasi ata thonë se nuk ka trukim. Mund të them vetëm një gjë. Ndaj tyre është përdorur një dënim i paprecedentë. Juristët do ta gjykojnë nëse janë fajtorë ose jo. ”

RIVALITETI NË SUPERIORE – “Është një realitet normal i të gjithë kampionateve me 10 skuadra. Të gjitha skuadrat e kreut, nga Partizani i vendit të parë deri te Flamurtari, janë të afta për të marrë titullin kampion. Shpresoj të jetë kështu deri në fund”.

TIRANA – “Tirana është klub shumë i mirë në histori, por jo në fakt. Do doja shumë që të ishin në pozitat e Partizanit duke luftuar për titull. Ata kanë shumë resurse të mira, kanë infrastrukturë të mirë dhe janë ekipi i kryeqytetit”.

LIGA DHE KRYETARI LIBOHOVA – “Libohova është një njeri me shumë eksperiencë dhe i aftë për atë punë. Propozimi im ka qenë që të ishte një ndër presidentët e klubeve. Liga do të qetësojë disi klubet, pasi do të kenë kontroll më të madh në emërimin e arbitrave”.

E DREJTA TELEVIZIVE – “Para disa vitesh kemi qenë në një situatë paradoksale ku televizionet na kërkonin para për të transmetuar ndeshjet e kampionatit ose të kombëtares. Tani ndodh e kundërta, madje paratë nga e drejta televizive janë dyfishuar me kalimin e viteve dhe të gjitha këto para i shkojnë klubeve”.

PANUÇI – “Në futboll rezultati është ai që mbahet mend. Unë nuk besoj se gjatë këtij edicioni me Panuçin, kombëtarja ka pësuar rënie ose kemi ulje të cilësisë së lojtarëve. Nuk mendoj se “Nations League” duhet quajtur një kompeticion i dështuar, pasi dështim do të ishte nëse do binim një ligë më poshtë. Ne nuk meritonim 0 pikë në Izrael, atje bëmë lojën më të bukur që ka bërë kombëtarja gjatë viteve të fundit, por humbëm 2-0”.

ZGJEDHJA E PANUÇIT – “Ne vinim pas një suksesi dhe është shumë e lehtë që një pjesë e futbollistëve të binin në vetëkënaqësi. Kjo ndodhi dhe u pasua me disa ndeshje të dobëta të kombëtares, prandaj gjeta konsensus me De Biazin. Mendova të merrja një emër me staturë të madhe për t’u treguar futbollistëve se kanë dhe shumë për të arritur. Tjetër arsye është se më pëlqen grinta e tij. Ultimatume? Nuk është natyra ime të bëj të tilla gjëra. Madje para ndeshjes me Uellsin e kam çtensionuar situatën duke i thënë se do të vazhdonte”.

MARRËDHËNIA ME TIFOZËT KUQEZI – “Unë përpiqem që të ndërtoj raporte korrekte me këdo. Me grupimin Tifozët Kuqezi kam marrëdhënie shumë të mira. Janë një grupim i organizuar që na mbështesin jashtë dhe brenda. Kur kemi pasur pakënaqësi i kemi zgjidhur bashkërisht” .

SHORTI I KOMBËTARES – “Është një short i pranueshëm. Mund të luftojmë për të shkuar në Europian. Në letër duket se Franca si kampione bote i ka të gjitha shanset për të qenë vendi i parë i grupit. Turqia do të luftojë për vendin e dytë së bashku me ne dhe Islandën. Por, duhet të vlerësojmë maksimalisht dhe Andorrën dhe Moldavinë. Do luftojmë e do luajmë për të qenë në Europian. Nëse fitojmë ndeshjen e parë ndaj Turqisë më 22 mars, do të na bëhen llogaritë shumë më të lehta.

TURQIA – “Turqia është një ekip shumë i mirë. Janë një shtet me 70 milionë banorë, me futboll të zhvilluar. Nuk mund të themi se jemi para atyre”.

NDRYSHIMET TEK EKIPET E MOSHAVE – “Në rastin e Bogdanit mund të them se u krijua një shkëputje reale e trajnerit me futbollin e moshave në Shqipëri. Kishte grumbullime vetëm nga jashtë. Trajnerët tani do të punojnë full-time në Shqipëri dhe Bogdani nuk mund ta përballonte këtë. Do të kemi një bashkëpunim më të mirë mes trajnerëve dhe menaxherit të kombëtareve Mustedanagiç”.

SPEKULIMI PANUÇI TE ROMA – “Nuk jam në dijeni të këtij lajmi. Nuk besoj që një trajner profesionist si Panuçi të bëjë biseda kur është në kontratë me ne”.

NGËRÇI ME QEVERINË – “Në fillim të projektit bëmë një plan financiar, ku llogaritëm sa do investonim ne dhe kompania e ndërtimit. Në këtë plan ishte planifikuar që do të rimbursohej tvsh-ja. Papritur na informohet nga ministria se është anuluar kjo marrëveshje. Kjo çështje është çuar në gjykatë. Do të na jepet e drejta është diçka e shkruar e zeza të bardhë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe. Kjo cenon afatet e punimeve. Ministria e Financave nuk ka pse bllokon stadiumin kombëtar. Besoj se do të zgjidhet shumë shpejt”.

PUNIMET E ARENËS KOMBËTARE – “Ne kemi ndërprerë pagesat për shkak të problemit të rimbursimeve. Kjo na ka vënë në siklet me kompaninë ndërtuese, por për momentin punimet e nuk janë ndaluar. Nëse si situata do vazhdojë e tillë, sigurisht që mund të na hapen probleme. Pres që punime të mbarojnë në qershor. Shpresoj që shteti të na ndihmojë me një fond shtesë”

ZYRAT E REJA TË FSHF-së – “Është një projekt madhor. Shpresoj të mbarojë brenda vitit 2019. Ministadiumet që po ndërtojmë do t’i shërbejnë të gjitha ekipeve kombëtare”.

AKUZAT E FINOS PËR SHOQATAT – “Asambleja e futbollit ka qenë ajo për shumë vite me radhë. Është statuti ai që vendos anëtarët në zbatim të ligjeve shqiptare. Ky është një kapitull i mbyllur”

AKUZET E BRAÇES PËR EVAZION FISKAL – “Në Federata nuk ka se ti ketë evazion fiskal. Tatimet kontrollojnë çdo vit bilancet tona. Përse duhet ta bëj Federata këtë gjë, s’ka asnjë arsye. Gjyqi? Mendova të ndjekë rrugën ligjore, pasi u mërzita me akuzet e shpifjet, por më pas kuptova se nuk ia vlente dhe tërhoqa”.

KANDIDATURA PËR ANËTAR TË KOMITET EKZEKUTIV–  “Mendoj se është mirë për Shqipërinë që të kemi përfaqësues në komitetet e UEFA-s. Tani kemi përfaqësues në pesë komitete të ndryshme. Sa më shumë të përfaqësohemi aq më mirë është për interesat e institucionit dhe të vendit. Përse të mos kemi një anëtar nga Shqipëria në organin më të lartë të UEFA-s? Në 7 shkurt do të shohim se kë do të votojnë anëtarët”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.