“Duhej të puthnin tokën ku shkela”, zhgënjimi i Materacit me patriotët e tij: Nuk janë italianë të vërtetë

Marko Materaci do të mbahet mend gjatë për atë episod të ndodhur në Kupën e Botës së vitit 2006, ku protagonist ishte edhe Zidan. Një provokim nga ana e mbrojtësit italian bëri që kreu aktual i pankinës së Realit të Madridit të dilte nga vetja dhe të bënte një gjest si kurrë më parë në karrierën e tij, duke e goditur me kokë Materacin. Ky i fundit ka sqaruar disa ditë më parë edhe fjalët e dala nga goja e tij që sollën këtë irritim të ish-futbollistit francez, ndërsa së fundi ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me mënyrën se si u prit nga italianët pas asaj nate.

Materaci tregon se populli i tij e gjykoi për provokimin ndaj Zidan dhe sipas tij ata nuk janë patriotë të vërtetë. Masdje shkon aq larg sa thotë se në Itali duhej të puthnin tokën ku shkelte ai, pasi shënoi golin e barazimit në finalen e 2006-s kundë Francës, të cilën më pas arritën edhe ta fitonin.

“Zidan u mbrojt nga francezët, por bashkëkombasit e mi më shtypën. Për mua ata nuk janë italianë të vërtetë. Unë jam patriot dhe gjithmonë i kam mbrojtur ngjyrat e Italisë. Kritikat e tyre janë ato të cilat më dhembën më shumë pas Kupës së Botës. Këta njerëz duhet të puthnin tokën ku unë shkela, pasi shënova golin e barazimit”, ka thënë Marko Materaci./Halit Delibashi-Sport Ekspres/