Dueli me vlerë 10 Champions, Kovaç dhe Klop komentojnë shortin

Liverpul-Bajern Mynih është një nga përballjet më të forta të fazës së eliminimeve direkt, që dhuroi shorti i sotëm në Champions. Të dy ekipet kanë fituar nga 5 herë Champions Ligën, ndërsa njëra prej tyre do të jetë e detyruar të largohet shpejt nga ky kompeticion.

 

Të dy trajnerët kanë folur për dy sfidat e shkurtit. Niko Kovaç e kaloi periudhën e vështirë dhe Bajerni i tij ka filluar të xhirojë. Nga ana tjetër është Jurgen Klop, një nga trajnerët më të mirë në botë. Gjermani ka një kujtim të hidhur nga ekipi bavarez, pasi humbi finalen e Champions-it në vitin 2013 kur ishte pjesë e Dortmundit. Klop do të kërkojë “hakmarrjen”, pavarësisht se në prononcimin e tij nuk e përmëend një gjë të tillë.

KOVAÇ – “Të gjithë po presim një ndeshje të madhe, por ishte shorti më i vështirë i mundshëm. Liverpuli arriti në finale në vitin e kaluar, është në vendin e parë në kampionat dhe është ndër favoritët kryesorë për fitimin e Champions-it. Por, ne jemi Bajerni i Mynihut dhe Liverpuli e di se e pret një ndeshje e vështirë në Mynih. Shanset janë 50 me 50, por unë kam besim se do ia dalim. Le të presim e të shohim.”

KLOP – “Është një short i vështirë, është e qartë se do ta kemi të vështirë, sepse Bajerni është një klub i madh. Kemi kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë përballje dhe shpresoj se t’i kem të gatshëm të gjithë lojtarët. Do të jenë dy ndeshje interesante. Ky Bajern është ndryshe nga ai që jam përballur më parë. Është e vërtetë se unë e njoh futbollin gjerman, por kjo nuk është ndonjë avantazh i madh. Në fund të fundit janë djemtë, ata që vendosin. Në do ta provojmë të kualifikohemi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *