Duartrokitje dhe flamuj kuqezi, De Biazi kthehet si hero në Ferrara

0

Nga Modena te Torino, për të kaluar në Ferrara. Xhani de Biazi ka lënë kujtime mjaft të bukura në këto tre qytete gjatë kohës që ka drejtuar si trajner, teksa i mungonte vetëm vizita në shtëpinë e SPAL për të plotësuar itinerarin e memorieve…

Dhe, duke përfituar nga vëzhgimi e shqiptarëve që luajnë jashtë dhe, më së shumti, në Itali, ka qenë i ftuar nderi në tribunën e stadiumit “Paolo Mazza” të qytetit të Ferrarës, ndërsa ajo që e ka emocionuar së tepërmi ishte mikpritja e tifozerisë vendase, me kore dhe një banderolë, por sidomos edhe mikëpritja dhe ngrohtësia e dashuria që i kanë transmetuar plot 150 shqiptarë rezidentë në këtë qytet.

De Biazi ka fituar edhe një trofe me skuadrën e SPAL-it, atë të Serisë C1. Në të gjithë këtë pasdite festive, me rezultatin final 1-1, ku kanë luajtur si Manaj, ashtu edhe Edgar Çani, De Biazi është befasuar edhe nga përshëndetja e shqiptarëve të ndodhur në stadium, teksa valëvitjes së flamurit nga ana e tyre i është përgjigjur ngrohtësisht, duke bërë shqiponjën dykrenore me duar. Në fund të takimit, disa autografe, fotografi dhe biseda me tifozët kuqezi, teksa, njërit prej shqiptarëve të pranishëm, që e ka ftuar për një darkë simbolike me komunitetin shqiptar në Ferrara, ai i është përgjigjur me mirësjellje se për efekt të kohës s’mund të qëndronte më shumë. “Aventura ime me Kombëtaren shqiptare po shkon mjaft mirë, pas dy javësh do të jemi në Palermo për ndeshjen kundër Italisë dhe për të gjithë ne do të jetë diçka shumë e madhe”, tha De Biazi për mediat lokale. “Unë po përjetoj disa kënaqësi të mëdha, pasi kur je në drejtimin e një Kombëtareje me një popull kaq të ngrohtë dhe dashamirës që të mbështet, është diçka shumë domethënëse”.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image