Duajt Jork: Kampion Europe në fushë, i rrënuar jashtë saj

Ish-futbollisti i famshëm i viteve ’90-2000, Duajt Jork, ka nxjerrë në shitje pronat e tij, për të arritur të shlyejë borxhin prej 1.5 milionë sterlinave që u detyrohet tatimeve në Angli.

Një avokat i ish-sulmuesit 46-vjeçar ka dalë para gjykatës dhe ka bërë të ditur se klienti i tij ka nxjerrë në shitje një pronë për 2 milionë sterlina, për të evituar shpalljen e falimentimit.

Jork ka luajtur në periudhën 1989-1998 për Aston Vilën, para se të luante për 4 sezone te Mançester Junajtid, ku shënoi 52 gola në 96 ndeshje dhe u shpall kampion Europe në vitin 1999, me triumfin e pabesueshëm ndaj Bajernit në finale, 2-1 me dy gola në fundin e takimit.

Jork, i famshëm edhe për dyshen sulmuese perfekte që krijonte me Endi Kol, ka qenë pjesë e kombëtares së Trinidad&Tobagos për 20 vjet, nga 1989, duke shënuar 19 gola në 74 ndeshje dhe duke e ndihmuar kombëtaren e tij të kualifikohej për në Kupën e Botës 2006, arritje historike për vendin e vogël nga Amerika Qendrore.

Edhe pse pati karrierë të shkëlqyer, Jork nuk eci në rrugën e shumë yjeve të Junajtid, të cilët janë kthyer në trajnerë apo analistë, ndaj tashmë është i rrënuar financiarisht dhe nuk ka bërë asgjë në jetë pas futbollit, edhe pse para pak javësh u ofrua publikisht për t’u bërë trajner i Aston Vilës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *