“Dua të bëj test tjetër”, Qardaku flet pas infektimit me Covid-19: Po mendoja stërvitjen, kaq mirë ndihem! Kam qenë i rregullt në karantinë

0

Eridon Qardaku u bë i pari futbollist në kampionatin shqiptar që rezultoi pozitiv me Covid-19. Lajmi erdhi vetëm 1 ditë para ndeshjes që skuadra e tij, Bylisi, do të luajë kundër Tiranës në orën 17:00. Megjithatë lojtari shkodran rrëfen për “Top Channel” se ndihet në gjendje mjaft të mirë shëndetësore dhe nuk paraqet asnjë shqetësim. Ka qenë vetëm një temperaturë e lehtë ajo që e ka shtyrë të bëjë testin, duke e kapur situatën në kohë dhe suke mos rrezikuar as përhapjen te të tjerët.

Por Qardaku shprehet se do të dëshironte të kryente edhe një tjetër testim, pasi fakti se ndihet i shëndetshëm e shtyn të dyshojë në saktësinë e tamponit të parë. Gjithashtu shton se është i paqartë për mënyrën se si është infektuar, pasi bën me dije se ka qenë shumë i rregullt gjatë karantinës.

“Ndihem shumë mirë, përveçse kam dal pozitiv sipas testit unë nga ana shëndetësore jam shumë mirë, jam në gjendje normale, jam munduar të stërvitem në kushte shtëpie. Madje, momentalisht po mendoja të nisja një seancë stërvitore, kaq mirë ndihem. Nuk kam asnjë lloj shqetësimi, simptoma kam pasur vetëm një temperaturë shumë të lehtë. Testin e kam bërë më tepër për siguri, për momentin ndihem shumë mirë, tani të ja lejmë kohës. Unë do doja të kisha bërë edhe një test tjetër sepse nuk jam shumë i sigurt për testin e parë, sepse siç e dimë ka pasur edhe raste të tjera që testi i dytë ka dal negativ”.

Kontakte me shokë të skuadrës? Jo. Kam udhëtuar një javë më parë sepse kam pasur një dëmtim në kaviljen e djathtë dhe kam ardhur që të bëj rikuperimin në shtëpi dhe dje duke udhëtuar drejt Ballshit, sapo kam mbërritur kam ndjerë si shqetësim një temperaturë shumë të lehtë dhe shumë pak ethe. Kam pasur pak ftohtë natën dhe ja lash asaj. Dhe për siguri, edhe presidenti u tregua i gatshëm, e kapi situatën në kohë, bëra tamponin prita përgjigjen dhe dola pozitiv dhe kështu nuk pata kontakt me asnjërin sepse presidenti e kapi në kohë.

Nga e kam marrë virusin? Kjo është arsyeja se pse ju thashë më parë do kisha dashur të bëja një test tjetër, sepse unë gjatë karantinës kam qenë shumë i rregullt, edhe në shtëpi kam ndenjtur dy javë pa asnjë kontakt të jashtëm, nuk e di se ku mund ta kem marrë”, është shprehur Qardaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.