Dritan Smajli gjen konsensusin me Flamurtarin, gati për Tiranën

0

Mbrojtësi i bardhebluve ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit vlonjat për t’iu kthyer me këste pagesën e pretenduar nga kuqezinjtë. Gati për ndeshjen ndaj Bylisit

 

Dritan Smajli do të jetë i gatshëm për Tiranën në takimin e së shtunës kundër Bylisit. Ditën e djeshme, lezhjani ka qenë i pranishëm në FSHF, ku në një takim me drejtuesit e Flamurtarit ka arritur marrëveshjen për të kthyer me këste, shumën e parave që kishte marrë nga klubi vlonjat dy vite më parë pas nënshkrimit të kontratës. Palët kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët, ndërsa pritet që ditën e sotme, krerët e klubit kuqezi të depozitojnë në Federatën Shqiptarë të Futbollit një shkresë zyrtare, duke “liruar” Smajlin nga pezullimi që Komisioni i Disiplinës i dha atij disa ditë më parë. Në këto kushte, mbrojtësi i krahut të djathtë do të jetë i gatshëm për trajnerin Shkëlqim Muça në takimin që Tirana do të zhvillojë të shtunën në shtëpi kundër Bylisit. Futbollisti i ardhur në këtë merkato vere te bardheblutë u pezullua pa afat nga ana e Disiplinës për shkak të një padie që klubi i Flamurtarit kishte bërë në FSHF, ku kërkonte kthimin e shumës prej 20 milionë lekësh të vjetra, të cilat ia kishin dhënë Smajlit përpara dy sezoneve në momentin që ai nënshkroi me skuadrën bregdetare. Por qëndrimi i tij në Vlorë zgjati vetëm 2 muaj, duke u transferuar më pas te Kukësi. Dritan Smajli, prej disa ditësh ishte në bisedime me drejtuesit vlonjatë për të gjetur akordin që shumën në fjalë ta shlyente nëpërmjet kësteve mujore. Një kërkesë kjo që është pranuar ditën e djeshme nga ana e krerëve të Flamurtarit, çka i hap “dritën jeshile” lojtarit të luajë në vijim me Tiranën.

Vijojnë përgatitjet me

nga dy seanca në ditë 

Edhe ditën e djeshme, trajneri Shkëlqim Muça ka preferuar që të vijojë përgatitjet para ndeshjes ndaj Bylisit me nga dy seanca në ditë. Trajneri i Tiranës ka kërkuar të mbajë në tonus të tijtë në prag të përballjes që do të zhvillohet nesër në orën 19:00 në “Qemal Stafa”. Seanca stërvitore e paradites ka qenë me karakter atletik, ndërsa pasdite, futbollistët bardheblu i janë nënshtruar edhe një ndeshjeje brenda grupit, në mënyrë që trajneri Muça të shihte edhe mundësinë për të fiksuar përfundimisht 11-shen që do të hedhë në fushë në takimin ndaj Bylisit. Ndërkohë që Gjergji Muzaka vijon përgatitjet veçmas grupit, ndërsa edhe mbrojtësi bullgar, Martin Gvandanski është stërvitur në mënyrë individuale, pasi nuk është në formë fizike optimale.

 

Biletat dalin në shitje,

hyrja falas për femrat

Ditën e djeshme, klubi bardheblu, përmes zyrës për shtyp njoftoi se biletat për takimin Tirana-Bylis do të dalin në shitje paraditen e së shtunës, te biletaria pranë stadiumit si dhe te biletaria pranë 9-katsheve. Biletat për tribunat D1,D2, D3 do të kushtojnë vetëm 300 leke (të reja), ndërsa në tribunat A dhe B një biletë kushton 700 lekë (të reja). Tirana ka vendosur sërish të hapë dyert në sektorin D të stadiumit për të gjitha tifozet femra. Hyrja për to do të jetë e lirë.

Çmimet e biletave

Tribuna A/B – 700 lekë (të reja)

Tribuna D1,D2,D3 – 300 lekë (të reja)

Hyrja për femrat në tribunat D1,D2,D3 – Falas

 

Andi TANKU

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.