Drita europiane dhe mesazhi prekës i “Intelektualëve”

“Në kujtim të brezave që u ndaluan dhunshëm të luajnë futboll në stadiumet e tyre”. Ky ishte mesazhi i “Intelektualëve”, fan-grupit të Dritës, kampionit aktual të Kosovës, në ndeshjen e Champions League të zhvilluar si vendas kundër kampionit aktual suedez, Malmo.

Mesazhit iu bashkangjit një koreografi ku shihej një futbollist i Dritës duke luajtur në baltë në vitin 1990 dhe një tjetër futbollist i Dritës duke luajtur në Champions League në vitin 2018, përcjellur nga teksti “Një rrugë e shtruar me sakrifica”.

Kjo koreografi erdhi si përkujtim për futbollistët shqiptarë të Kosovës të cilët regjimi serb i Milosheviçit i dëboi nga stadiumet futbollistike dhe të cilët për një dekadë u detyruan që të luajnë futboll nëpër livadhe dhe ara me baltë, të cilat ua mundësuan fshatarët dorëlirë. Ky brez futbollistësh shqiptarë të Kosovës e improvizoi futbollin, me livadhet si fusha futbolli, me përroskat si dushe dhe me furgonat si zhveshtore. Por edhe atje, nëpër livadhe, policia e Milosheviqit i përndoqi dhe i arrestoi shumë futbollistë, trajnerë dhe tifozë për të vetmin krim – sepse luanin futboll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *