Drejtuesit gjoba për Kalarin e Bardhin, Hoxha del kundër!

0

 

“Plas” te “demat” para nisjes në Austri. Të kuqtë i kanë vendosur penalitet financiar mbrojtësit të majtë për kartonin e kuq dhe të riut për thyerje të disiplinës. Kapiteni në emër të ekipit reagon për dënimin e Kalarit. Sormani i ul gjobën nga 500 në 200 euro

 

Eraldo Harlicaj  

 

Një situatë aspak normale është krijuar te Partizani pas humbjes së ndeshjes së parë me Red Bull Salzburgun. Kur të gjithë e menduan se e kaluan me profesionalizëm takimin ndaj austriakëve, diçka e tillë nuk është parë për drejtuesit e klubit që kanë vendosur gjoba për dy futbollistët e skuadrës Renato Kalarin dhe Jurgen Bardhin. Arsyet për dy lojtarët kanë qenë të ndryshme dhe vendimi i është bëri i ditur një ditë pas ndeshjes, të mërkurën kur futbollistët kanë dalë në stërvitje. Vendimi për të dy lojtarët është bërë i qartë nga trajneri Adolfo Sormani në mbledhjen e përhershme përpara grupit të futbollistëve. Bardhi është dënuar për thyerje disiplinore, ndërsa Kalari për shkak të kartonit të kuq. Vendimi për Kalarin ka ngjallur edhe reagimin e grupit të futbollistëve dhe ka qenë kapiteni alban Hoxha, ai që ka kundërshtuar në emër të të gjithëve.

Kalari – Pas ndeshjes e gjithë skuadra në seancën e parë stërvitore ka qenë e mbledhur në stërvitje dhe trajneri Sormani ka filluar të flasë. Tekniku i ka komunikuar lojtarëve që janë marrë masa ndaj Kalarit dhe Bardhit. Për mbrojtësin e majtë është vendosur një gjobë nga drejtuesit 500 euro fillimisht, por me ndërhyrjen e stafit teknik dhe të vetë italiani është bërë në 200 euro. Gjoba nuk është pritur aspak mirë nga mbrojtësi i majtë, por burime brenda skuadrës bëjnë me dije se Kalari vetëm është habitur dhe e ka pranuar në heshtje duke ironizuar vendimin. Pavarësisht se 32-vjeçari nuk ka reaguar nuk ka qenë në këtë mendim kapiteni Alban Hoxha që ka kërkua menjëherë fjalë duke replikuar në moment dhe duke ndërprerë edhe trajnerin Adolfo Sormani.

Hoxha – Portieri i Partizanit duke njohur detyrën e tij si kapiten ka ndërhyrë menjëherë për gjobën ndaj Kalarit, pavarësisht se nga ana e zyrtarit të klubit Amarildo Dajlanit, që po përkthente teknikun Sormani, i është kërkuar që të lërë këtë të fundit ta përfundojë fjalën, “gardiani” nuk ka pranuar. Ai i ka thënë menjëherë trajnerit se nuk është e drejtë. ”Nuk është e drejtë kjo gjobë ndaj Kalarit. Po flas si kapiten, por edhe në emër të çunave. Si i bie tani që ne nuk duhet të ndërhyjmë nga frika e gjobave?”, – është shprehur portieri, zbulon “Sport Ekspres”. Portieri ka gjetur menjëherë edhe mirëkuptimin e pjesës tjetër të skuadrës.

 

Bardhi s’i jep dorën

Sormanit gjobë dhe

vendim për lojtarin

 

I dënuari tjetër në ekip është Jurgen Bardhi. Futbollisti ka thyer disiplinën dhe rregulloren e klubit dhe për këtë arsye do të dënohet nga ana e klubit. Futbollisti nuk ka pasur një reagim të mirë ndaj trajnerit Adolfo Sormani dhe për këtë arsye ai është ndëshkuar nga ky i fundit me një gjobë financiare, por ndaj tij pritet të jepet edhe një tjetër vendim se mund të merret edhe ndonjë masë tjetër më e rëndë disiplinore. I riu nuk i ka dhënë dorën Adolfo Sormanit dhe ky ka qenë motivi i gjobës. Për Bardhin pritet të ketë edhe një tjetër vendim që po shqyrtohet nga ana e klubit ka mundësi që për futbollistin të ketë edhe një pezullim.

 

 

Kalari “sulmohet” qëllimisht?

 

Partizani po kërkon një mbrojtës të majtë dhe kjo nuk është më sekret apo lajm i paditur për asnjë. Drejtuesit e klubit madje kanë nisur kontaktet me lojtarë të caktuar dhe emri që përmendët më shumë është ai i Micit. “Demat” i kanë bërë edhe një ofertë atij dhe tashmë mbetet fjala e këtij të fundit të vendosë, por duke parë një situatë të tillë dhe duke qenë se Kalari është një ndër titullarët e Partizanit, ky “sulm” ndaj tij mund të ketë edhe një të fshehtë mbrapa. Drejtuesit duan t’i tregojnë atij se nuk është i paprekshëm dhe po mendojnë q edhe të afrojnë futbollistë të tjerë në atë pozicion.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image