Drejtori turk i Vllaznisë ndryshon mendje, e tundon Moldavinë me ofertën: Imagjinoni për 2 vite

Në mediat shqiptare u shkaktua një habi e madhe kur drejtori turk i Vllaznisë, Engin Firat, u prezantua si trajneri më i ri i Moldavisë. Por në fjalët e tij Firat u shpreh se kishte shkuar në këtë aventurë të re vetëm për dy ndeshjet e fundit kundër Francës dhe Islandës, për t’i përmbyllur në mënyrën e duhur.

Menjëherë debutoi me sukses ndaj Francës, teksa në transfertë Moldavia bindi shumë në atë humbje me rezultatin 2-1, madje për golin e parë u cilësua si një vjedhje, pasi para se Varane të fuste topin në rrjetë, Giroud kishte shkaktuar faull te portieri kundërshtar.

Ndërsa ndaj Islandës do të vinte humbja në shtëpi me rezultatin 1-2. Tashmë është vetë Firat që kërkon të jetë gjithmonë trajneri i Moldavisë, por duke pasur një projekt të mirë dhe bindës. Ndërsa për t’i tunduar edhe më shumë tifozët dhe ambientin, u ka treguar veprat e dy ndeshjeve të fundit.

“Të gjithë janë të lodhur nga rezultatet e dobëta. Tifozët në vend duan diçka të re. Kjo do të ndodhë vetëm kur kemi një projekt të zhvillimit të futbollit në Moldavi. Siç thashë, djemtë dhanë gjithçka mundën. Unë jam i lumtur dhe gati të vazhdoj, por ne kemi nevojë për një projekt të menduar mirë.

Djemtë bënë një përpjekje të madhe. Në një javë nuk mund të ndryshosh një sistem, i cili funksionoi për një kohë të gjatë. Duhet kohë për të vazhduar atë që filluam. Nëse lojtarët ishin në gjendje të ndryshonin kaq shumë brenda një jave, unë mund të imagjinoj si do të jetë në një ose dy vjet”, ka thënë Firat. /Sport Ekspres/