Drejtori sportiv i Juventusit i bindur për Kumbullën, por nuk kërkon të nxitohet

Emri i Kumbullës nuk është më një hipotezë për Juventusin, por është kthyer në një objektiv real. Të paktën kjo është ajo që raportohet në mediat përtej Adriatikut. Bardhezinjtë e shohin mbrojtësin shqiptar si një alternativë serioze për të rigjeneruar repartin e tyre të mbrojtjes. Drejtori sportiv i Juventusit, Paratici, duket se është i vendosur për Marash Kumbullën, duke qenë se ky i fundit i plotëson të gjitha kriteret për t’u veshur bardhezi.

I vështirë për tu kaluar në mbrojtje, luan topin me elegancë dhe për më tepër i lindur në vitin 2000.  Të gjitha këto bëjnë që talenti shqiptar të jetë një investim i sigurt për “zonjën e vjetër”. Titullar në 9 ndeshje dhe 1 gol në kampionat me Veronën, një nga ekipet që numëron më pak gola të pësuar në Serie A. Niveli i shfaqur nga Kumbulla e ka bindur Paraticin, i cili do të mbajë nën vëzhgim mbrojtësin kuqezi përgjatë gjithë sezonit dhe në verë pritet të ulet me një ofertë zyrtare në tryezën e drejtuesëve të Veronës./Sport Ekspres/