Drejton Tiranën në derbi, Egbo: Nuk jam gati për ti shkuar deri në fund, në kohën time ishte ndryshe

Timonin e Tiranës për derbin kundër Partizanit e ka marrë Emanuel Egbo, i cili do të mbajë këtë post deri në zyrtarizimin e një trajneri të ri në pankinën bardheblu. Ish-portieri i Tiranës ka dalë në konferencën për shtyp për të folur mbi ndeshjen e rëndësishme kundër rivalëve të tyre më të mëdhenj.

Sipas asaj që raporton “Supersport”, Egbo shprehet se do e trajtojnë këtë ndeshje si të radhës, pavarësish se përbën një interes të lartë pasi është derbi. Ish-futbollisti i Tiranës tregon se nuk është gati për të qenë ai trajneri zyrtar i bardhebluve, ndërsa ka rikujtuar edhe kohën kur ai vetë mbante veshur fanellën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë.

“Është si ndeshje e radhës, por është derbi dhe ka shumë interes. Është shumë e vështirë normalisht. Nuk e shoh për objektivat, por si ndeshje që duhet fituar. Duam të marrim maksimumin. Jemi 6 pikë nga vendi i parë dhe do të futemi në fushë vetëm për të fituar. Nuk e di nëse jam apo jo i duhuri, por më kanë dhënë besim për të drejtuar skuadrën në këtë takim.

Nuk jam unë gati për të shkuar deri në fund të sezonit. Te Tirana ka nevojë për trajner me më shumë eksperiencë. Në kohën time ka qenë epokë tjetër. Kur kemi dalë kampion kemi qenë më ndryshe. Kur fillonte ndeshja, fillonte 1-0 për Tiranën, ndërsa tani çdo gjë ka ndryshuar.”, është shprehur Emanuel Egbo./Sport Ekspres/