Dramë e vërtetë për Petër Olainkën/ Pritej kalimi në ekip të madh, do të rrijë 3 muaj larg futbollit

Nga Klaudio Ndreca

Peter Olainka përjetoi një ëndërr të vërtetë në këtë sezon futbollistik me Slavian e Pragës. Dikur duke luajtur në “Play Station” me ekipe si Barcelona dhe Inter, teksa në pak kohë e pa veten në fushë dhe duke shkëlqyer kundër tyre.

Madje duke kulmuar edhe me një gol në “San Siro”, për të tundur rrjetën ndaj zikaltërve. Në atë rast ishin emocione që edhe vetë Olainka nuk po e besonte se ishin të vërteta, duke parë shkallët sesi i ngjiti në karrierë, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Superiores tonë.

Por ky sezon nuk do të mbyllet ashtu si edhe nisi, e jo për shkakun e Koronavirusit. Olainka është dëmtuar rëndë në gju gjatë stërvitjes, saktësisht në kockën e fibulës. Në rastin më të mirë futbollistit i është thënë se do të qendrojë për 3 muaj jashtë fushave të blerta. Pra mund të kthehet për sezonin tjetër, vetëm nëse gjithçka shkon sipas planit. Një dramë që ndodhi atëherë kur nuk duhej, ndërsa në merkaton e verës mund të vinte kalimi i madh i Olainkës. /Sport Ekspres/