Drama e Veselit, Strakosha “e tradhton” në Krotone!

Në Palermo, më 24 mars, mbrojtësi sfidonte Italinë dhe përjetonte emocionet më të mëdha, ndërsa dje nga stoli përjetoi tmerrin. Ndërkohë, ish-Lugano e tij shkon në Europa League

Një dramë e papritur! Nga qetësia për shpëtimin që po afronte te rënia zyrtare në Serinë B. Frederik Veseli, vitin tjetër do të luajë në Serinë B, nëse nuk largohet, sigurisht. E papritur, sidomos duke ditur se Krotone thuajse kishte prerë shpresat disa javë më parë dhe pasi ndeshja e fundit e toskanëve ishte ndaj Palermos. Një humbje 2-1 në stadiumin e ëndrrave pak muaj më parë, ku Frederik Veseli me fanellën e Shqipërisë do të sfidonte Italinë katër herë kampione bote. E ndërsa shqiptari e ka ndjekur nga stoli dramën që konsumohej në “Renzo Barbera”, në një tjetër ndeshje, shumë kilometra larg, në “Enzo Scida”, Krotone mundi Lacion 3-1, me në portë Thomas Strakoshën, që “tradhton” kështu shokun e skuadrës te kombëtarja kuqezi. Një ndeshje paralele, e cila për skuadrën e Krotones solli parajsën, po për Empolin solli ferrin.

Më 24 mars, në Palermo, Veseli veshi fanelën e Shqipërisë ndaj axurrëve, teksa ndeshja mbaroi me rezultatin 2-0. Dje, Veseli e ndoqi nga stoli, në një sezon ku ka qenë me luhatje për të, 17 ndeshje, pra më pak se sa gjysma. Tashmë, e ardhmja e shqiptarit nuk dihet, edhe pse sipas kontratës duhet të qëndrojë edhe në Serinë B, por mund të ketë edhe ulje rroge.

Në anën tjetër, tri golat e pësuar nuk kanë ndikuar aspak te Strakosha, pasi Lacio kishte siguruar Europa League prej kohësh. Presidenti i Empolit, Korsi, në fund të ndeshjes me Palermon, u shpreh: “Përgëzoj Krotonen, por e kemi merituar plotësisht këtë rënie në kategori.

E flakëm vetë mbijetesën. Tani, duhet të përgatitemi për një sezon në Serinë B”.
Ironia e fatit – Por, ka edhe një ironi të çuditshme fati. Sepse, ish-skuadra e Veselit, Lugano, do të luajë në Europa League sezonin tjetër. Veseli u largua duke firmosur me Empolin dhe në mes të sezonit ishte i shpëtuar, ndërsa Lugano rrezikonte rënien, por situatat u përmbysën, teksa Tramexani dhe Sadiku ndryshuan gjithçka te ekipi zviceran.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *