Drama e Osmanit, për fat asnjë problem për vëllain

Pas golit, vëllai i futbollisti është rrëzuar nga gëzimi dhe ka humbur ndjenjat. Transportohet me urgjencë në spital, por në mbrëmje mësohet se e ka kaluar rrezikun

Kohë më parë Tefik Osmani humbi një nga vëllezërit e tij, ndërsa dje ka përjetuar momente të mëdha ankthi. Kur Skënderbeu shënoi, Sokoli, tifozi më i zjarrtë i Skënderbeut që nuk mungon në asnjë ndeshje, teksa po festonte i ngritur në këmbë, është rrëzuar nga tribuna në tokë dhe e gjithë vëmendja nga fusha ka kaluar poshtë tribunës, pikërisht pas stolit të Flamurtarit. Kanë vrapuar të gjithë aty. Osmani, i cili po festonte, mori një sinjal në fushë se i vëllai i tij ai që ishte rrëzuar. Lojtari ishte gati të braktiste fushën, ndërsa shokët e ekipit po e inkurajonin. Në një  moment ka hipur edhe në autoambulancë për të qenë pranë vëllait të tij. Kristi Vangjeli ka qenë pranë tij në çdo moment dhe e ka këshilluar Osmanin të hipte në autoambulancë. Më pas lojtarit i thanë të zbriste se vëllai do të transportohej menjëherë në spital. Tefiku vrapoi drejt fushës, ndërsa trajneri Daja menjëherë kreu ndërrimin dhe Tefiku, siç ishte, me uniformën sportive, shkoi drejt spitalit.

JASHTË RREZIKUT – Mësohet se vëllai i Tefik Osmanit, pas rënies nga një lartësi e konsiderueshme  në tribunë, kishte marrë plagë në kokë. Ishte një situatë alarmante, por ndihma ishte e menjëhershme dhe pas mbërritjes në spitalin e qytetit gjendja e tij është përmirësuar dhe e ka kaluar rrezikun. Vëllai i lojtarit u fut menjëherë në reanimacion, ku u përmend dhe ky moment i ka gëzuar të gjithë. Doktorët kanë bërë punën e tyre dhe kanë pohuar se e ka kaluar rrezikun e madh. Pritej në atë moment që Sokol Osmani të transportohej në Spitalin e Tiranës, për një ndihmë më të specializuar, për të bërë edhe skanerin. Fatmirësisht, çdo gjë kaloi, por Tefiku ka kaluar momente shumë të vështira dje në mbrëmje.

Solidaritet nga skuadra dhe klubi

E gjithë skuadra korçare, pas përfundimit të ndeshjes me Flamurtarin, është interesuar menjëherë për gjendjen e vëllait të Tefik Osmanit. Muzaka i ka telefonuar i pari dhe më pas të gjithë futbollistët, të cilët ishin të gatshëm ta çonin kudo që të ishte nevoja vëllanë e shokut të tyre për një kurim më të specializuar. E gjithë skuadra korçare dje ka qenë e shqetësuar dhe të gjithë kanë mbërritur në spital për të qëndruar pranë shokut të tyre. Edhe klubi juglindor ka bërë menjëherë një postim në faqen zyrtare, duke ia dedikuar fitoren vëllait të Osmanit dhe duke i shprehur mbështetjen maksimale lojtarit të vet. “Jemi me ty Tiku”, shkruante klubi korçare në faqen e tij. Edhe gazeta në këtë rast i uron shërim sa më të shpejtë vëllait të futbollistit të Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *