Doshi dyfishon premion për fitoret e Vllaznisë jashtë fushe

Biznesmeni i njohur shkodran ka mbetur mjaft i kënaqur nga ecuria e Vllaznisë, por e ka të qartë që lufta sa vjen e bëhet më e egër. Premtimi i ri: 10.000 euro për çdo fitore jashtë fushe!

Vllaznia fiton, arkëton pikë, por edhe miliona. Biznesmeni Tom Doshi tashmë është bërë pjesë e pandashme në sukseset e klubit, sepse po e mban premtimin e bërë: 5.000 euro për çdo fitore! E theu premtimin, duke e dhënë këtë premio pas barazimit ndaj Partizanit, rival aspak i lehtë dhe në formë këto kohët e fundit, ndaj skuadra kuqeblu shijon ngjitjen e vazhdueshme në renditje dhe mbush xhepat. Një motivim shtesë, për një skuadër të ndërtuar me sforcime të mëdha ekonomike nga bashkia dhe të përforcuar ndjeshëm në janar. Megjithatë, lufta për mbijetesë nuk ka mbaruar, përkundrazi. Edhe Teuta po vrapon, ndaj te Vllaznia nuk marrin dot frymë të qetë dhe Tom Doshi e ka kuptuar se momenti është delikat, ndaj prej ditësh ka bërë të ditur se do të paguajë edhe gjysmën e kostos së grumbullimit të skuadrës për ndeshjet shtëpiake. Trajneri Gjoka ka kërkuar dy ditë grumbullim para çdo takimi në Shkodër, ndaj Doshi do të paguajë njërën ditë të grumbullimit.

SURPRIZA E RADHËS – Nëse premio për fitore ishin një motivim shtesë dhe mbulimi i një pjese të kostos së grumbullimit është gjithashtu një ndihmë, tashmë Doshi ka menduar të bëjë një tjetër premtim, edhe më të bujshëm e të guximshëm. Në prag të supersfidës kundër Teutës në Durrës, biznesmeni i njohur ka rritur premion, duke vendosur një premio të dyfishtë: 10.000 euro në rast suksesi në Durrës! Nuk mbaron me kaq, sepse kjo sasi parash do të shkojë në xhepat e skuadrës së Vllaznisë sa herë të merren pikët e plota jashtë fushe. Motivim i jashtëzakonshëm, tashmë u mbetet futbollistëve kuqeblu të “varfërojnë” Doshin, i cili duhet përgëzuar, sepse rrallë ndodh në Shqipëri që një politikan të bëjë premtime dhe t’i mbajë ato. E tashmja duket shumë pozitive, për të ardhmen ka kohë, e ka vetë në dorë Vllaznia ta bëjë sa më të bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *