Dortmundi shkatërron ‘Gladbahun dhe komandon Bundesligën

Borusia Dortmund e ka kthyer në tenis ndeshjen e sotme me Borusia M’Gladbahun. Skuadra verdhezi fitoi 6-1 në “Signal Iduna Park” me lehtësinë më të madhe, duke festuar edhe rikthimin e Gëces pas dëmtimit jo pak të dhimbshëm që pati pësuar në Champions League.

Pas më pak se gjysmë ore lojë, vendësit gjetën golin e parë me Filipin (28’), i cili 10 minuta më pas shënoi edhe golin e tij të dytë. Dortmundi po luante gjithnjë e më mirë nga krahët, madje duke thyer çdo sulm të rivalëve, derisa trefishoi avantazhin me të përhershmin Obamejang. Gabonezi shënoi në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Me të filluar e dyta, këmbëshpejti shkatërroi miqtë duke dërguar për herë të katërt në rrjetë sferën (49’). Obamejang shënoi pas 11 minutash golin e tij të tretë, duke e kthyer ndeshjen në një festë të vërtetë për Dortmundin dhe tifozët e pranishëm në stadium. ‘Gladbahu u përpoq me çdo kusht të gjejë golin e nderit dhe ia arriti në të 66’ me Shtindlin.

Në fund, për të mbyllur goleadën mendoi Vaigl, i cili shënoi emrin e tij në tabelën e rezultatit në të 79’. Me këtë fitore, Dortmundi mbron vendin e parë me 16 pikë pas 6 ndeshjesh dhe vetëm një gol të pësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *