Dortmundi blen Jarmolenkon, lajm i mirë për Skënderbeun

Pasi shiti Usman Dembelenë te Barcelona, Dortmundi ka gjetur mënjeherë pasuesin e tij. Ai është Andij Jarmolenko, ylli i Dinamos së Kievit, i cili për herë të parë lë klubin legjendar ukrainas dhe në moshën 27-vjeçare provon të luajë në Bundesligë.

27-vjeçari i lindur në Rusi është ylli i madh i Ukrainës dhe Dinamos së Kievit, duke shënuar mbi 160 gola në karrierë, mes klubit e kombëtares.

Në kampionatin e shkuar shënoi 15 gola dhe ka vite që kërkohet në Itali e Angli, por çmimi i tij ishte shumë i lartë.

Tani Dortmundi e blen për 25 milionë euro, një shifër e ulët, krahasuar me çmenduritë që po bëhen në treg.

“Andrij është një lojtar që e kemi ndjekur prej shumë kohësh dhe ai luanfutboll në nivel shumë të lartë për klubin e tij dhe kombëtaren e Ukrainës”, tha drejtori sportiv Mikael Cork gjatë prezantimit.

Me largimin e Jarmolenkos, në sulmin e Dinamos mbeten pika referimi Kravets e Mbokani, të dy të afruar këtë verë. Të dy janë sulmues shumë të mirë, por gjithsesi largimi i Jarmolenkos dobëson ndjeshëm Dinamon, sepse bëhej fjalë për liderin e skuadrës, ndaj mund të konsiderohet një lajm i mirë edhe për Skënderbeun, që do të ketë përballë një yll më pak në Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *