Dorëzohet Turqia, pezullon kampionatin/ Flet Cikalleshi: Kemi katër ditë pushim, nuk na kanë futur në karantinë

Në një kohë kur gjithë Europa dhe bota mbylli dyert e stadiumeve, Turqia “kokëforte” vijoi kampionatin me dyer të mbyllura. Ndonëse pati reagime të shumta nga tifozët e mbi të gjitha nga skuadrat e futbollit, vetëm gjatë ditës së sotme u bë e mundur që kampionati të shtyhet. Nga Izmiri, sulmuesi i Kombëtares Sokol Cikalleshi tregon momentet e para të pezullimit të ligave turke. Sulmuesi në një intervistë për Supersport thotë se ende nuk janë vendosur në karantinë dhe se presin udhëzimet e reja të stafit.

“Turqia ishte një nga vendet e fundit që e lejoi kampionatin të zhvillohej deri javën e kaluar. Tani u pezullua, do shtyhet siç ka ndodhur në gjithë Europën. Javën e kaluar, i gjithë opinioni sportiv priste shtyrjen. Kishte reagim të gjerë nga të gjithë lojtarët, në Superligë dhe kategori të parë. Së pari duhet të mendojmë për jetën dhe kjo është zgjidhja më e mirë. Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli.

Deri tani është se kemi marrë masa, nuk e kemi ndier. Këtu në Izmir situata është e qetë. Të prekur ka më tepër në Stamboll dhe Ankara. Uroj të mos ketë karantinë ekstreme. Të shohim në vazhdim se çfarë do të ndodhë. Sot morëm nga trajneri vendimin që do jemi katër ditë pushim. Më pas do stërvitemi, pasi edhe jemi në një moment deciziv dhe duam të ngjitemi në Superligë. Tani nuk jemi në karantinë, bëjmë jetë normale. Nuk jemi mbyllur për momentin, presim të mësojmë çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim”- ka thënë sulmesi i Kombëtares./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *