Dorëhiqet trajneri i Irlandës, reagon presidenti: Nuk harrohen fitoret me Italinë dhe Gjermaninë

Irlanda e mbylli në vendin e fundit, me vetëm dy pikë grupin 4 të Ligës së Kombeve. Ishullorët nuk arritën asnjë fitore përballë Danimarkës dhe Uellsit, duke rënë në Serinë C të Ligës së Kombeve.

Një gjë e tillë ka shtyrë trajnerin e kombëtares, Martin O’Nill, të japë dorëheqjen. 66-vjeçari drejtoi Irlandën për 5 vite, ndërsa bashkë me të janë larguar dhe menaxheri i ekipit, Roi Kin (zëvendësmenaxheri), Simus Mek’Donag (trajneri i portierëve) dhe Stiv Gupi (zëvendëstrajneri).

Donal Konuei, presidenti i Federatës irlandeze, ka komentuar këtë vendim në faqen zyrtare të Federatës. “Dua të falënderoj Martinin, Roin dhe menaxherin e ekipit për punën e bërë me kombëtaren e Republikës së Irlandës në pesë vitet e fundit. Falë Martin O’Nill kemi përjetuar mbrëmje të paharrueshme. Mbi të gjitha, pjesëmarrja në Euro 2016, ku arritëm të mposhtim Italinë dhe të kalonim në çerekfinale. Nuk harrohet as fitorja kundër Gjermanisë, kampionëve të botës, në grupin e eliminatoreve të Euro 2016. Mbetet e paharrueshme. I uroj atij dhe gjithë stafit të tij suksese në të ardhmen”, përfundon kreu i futbollit irlandez.

O’Nill drejtoi Irlandën për 55 ndeshje, ku bërë të debutojnë 28 futbollistë. Federata është vënë në kërkim të një trajneri tjetër dhe shumë shpejt do të mësojmë dhe emrin e ri të stolit irlandez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *