Doping dhe trukime në Botërorë, rrëfimi i bujshëm i Sandro Macolës

0

Historitë e të shkuarës janë edhe ato të mbushura me mister dhe të vërteta që deri më tani kanë qëndruar të “fshehura”, por kur ato tregohen nga një kampion, atëherë kanë atë ngjyrim edhe më të bukur… Te “Corriere della Sera”, Sandro Macola, ish-lojtar simbol i Interit dhe i Kombëtares së Italisë, përshkruan momente të paharrueshme për të por edhe të panjohura për tifozët në përgjithësi.

 

Sandro Macola, cili është kujtimi i parë?

Baçigalupo. Futem në stadiumin “Filadelfia”, i veshur me fanellën e Torinos, me babain tim… Dora e tij e djathtë shtrëngon timen. Godas penalltinë. Baçigalupo lëviz duart ashtu si bën në kampionat; porta është e vogël, ai shumë i madh; por, më pas hidhet në një krah, ndërsa unë e vendos topin në krahun tjetër. Baçigalupo i shkel syrin tim eti. Unë bëj xhiron e fushës duke festuar.

Ju ishit thjesht maskota e Torinos së Madh…

Im atë dhe ime më ishin ndarë. Kisha qëndruar me të dhe bashkëshorten e tij të re. Kisha një dollap në dhomat e zhveshjes së stadiumit, pranë atij të tim eti, ndërsa të dielën zbrisnim në fushë dorë për dore. Në derbi shihja shumë keq të birin e Depetrinit, kapitenit të Juventusit. Luaja me top me vajzat e Grezar dhe të bijën e Loik; ende flasim. Shkoja në shtëpinë e presidentit, Ferruçio Novo: nuk kishte fëmijë, më kishte adoptuar pak a shumë

Babai yt ishte kapiten…

Osola, Gabeto dhe të tjerët e adhuronin. Kur lëshonin në stërvitje ai u bërtiste dhe të gjithë rinisnin të vraponin dhe jepnin më të mirën.

Megjithatë, Valentino Macola nuk ishte torinez…

Familja e tij ishte më e varfra e Kasano d’Adës. Pesë vëllezër. Më i madhi hynte dhe dilte nga burgu: mori 70 dënime për vjedhje. Babai u arratis nga shtëpia sepse nuk donte të shkonte të vidhte. Në Venecia u regjistrua në marinë dhe kërkoi që të provohej në ekipin e futbollit, por pa sukses. Ndërhyri një zbulues talentesh në atë kohë: “Ky djalosh është i aftë!”.

Më pas, yt atë shkoi te luante me Torinon, ku punonte edhe te fabrika e FIAT…

Shpërtheu lufta, kampionati u ndërpre. Alternativa ishte në Rusi ose në fabrikë. Më pas, im atë fitoi pesë tituj, po për të plotësuar rrogën dhe mbajtur familjen hapi edhe një dyqan topash.

Si u njoftuat për tragjedinë e Supergës?

Askush nuk më tha asgjë. Bashkëshortja e tim eti më rrëmbeu dhe më la te një çift miqsh, që jetonte në një mulli. Nuk e kuptova nëse e bëri këtë gjë për të marrë trashëgiminë, ose për të mbajtur vetë një pjesë të njeriut të saj. Ime më, Emilia i kërkoi ndihmë karabinierëve dhe tifozë të Torinos, që nisën të kërkonin kudo për të më gjetur. Më gjetën pas një muaji dhe më sollën në shtëpi.  E zbulova vetëm atëherë që kisha një vëlla. Quhej Ferruçio, si presidenti.

Dhe ju treguan për tragjedinë?

Jo. Më thossin gjithmonë që im atë ishte në udhëtim. Një ditë isha fshehur poshtë tavolinës për të bërë telekronikat – Nikolo Karozio fliste i mbyllur në një kabinë, ishte idhulli im ta imitoja – dhe dëgjova time më që të shfryhej me një shoqe. Gjeta konfirmimin e asaj që kisha ndjerë: im atë nuk do të ishte kthyer kurrë.

Ju e nisët me basketbollin…

Stërvitesha me Simental, por pasioni im ishte futbolli. Luanim në Porta Tiçinese, në kolonat e San Lorencos. Çdo top binte në varreza dhe kishim frikë që të zbrisnim ta merrnim. Ose përfundonte në dritaret e pastiçerisë dhe pastiçeri na e shponte.

Si mbërritët te Interi?

Falë Benito Lorencit, i thërritur “helmi”. Personazh romani. Katolik, nuk humbiste asnjë meshë. I mirë në shpirt dhe jashtë fushës, i tmerrshëm brenda katërkëndorit. Provokonte Bonipertin duke e thërritur Mariza, me Çarls që vinte në dyshim moralin e mbretëreshës. Më mori mua dhe tim vëlla nën tutelë: futeshim në “San Siro” të veshur me fanellën e Interit, uleshim pranë bankinës. Nëse Interi fitonte, Lorenci na jepte 30 mijë lireta për kokë si premio.

Te të rinjtë, trajneri yt ishte Meaca…

Një herë i bërtita një shoku ekipi që nuk më pasonte. Meaca, në fund të ndeshjes, më thërriti dhe më tha: “Kam fituar kampionat bote dhe s’i kam bërtitur kurrë një shoku ekipi. Nëse të kap edhe njëherë që e bën, nuk do të luash më”.

Në kampionat, debutove në atë sfidë të çuditshme: Juve-Inter 9-1. Çfarë mban mend?

Anxhelo Morati kishte vendosur që do ta luante Primavera, për protestë, atë sfidë. Boniperti erdhi të më përshëndeste: “E di që fshehurazi shkoja të shihja ndeshjet e yt atë? Ishte më i madhi”. Shënova golin e vetëm të Interit. Sivori realizoi gjashtë…

Në moshën 21 vjeç, Kupa e parë e Kampionëve!

Në hyrje u magjepsa duke parë Di Stefanon. Nuk kam parë kurrë një futbollist më të fortë, me përjashtim ndoshta të Ronaldos, përpara dëmtimit të parë në gju. Pastaj, të gjithë më thoshin që u kujtoja tim atë: shpëtonte një gol në vijën e portës dhe shkonte e shënonte. Luizito Suarez, lideri i vërtetë i Interit të Madh, më thërriti: “Do të vazhdosh të shohësh Di Stefanon, apo do të luash me ne këtë finale?”.

Dhe shënove dy gola…

Festova si atëherë kur i shënova penalltinë Baçigalupos. Suarez më thërriti sërish: “Shiko se nëse ekzagjeron, na bëjnë katër”. Në fund, shkova te Di Stefano për t’i kërkuar fanellën, por më ndaloi në fillim Pushkash.

Çfarë ju tha?

Kam luajtur me yt atë. Ti je si ai, në lartësinë e tij. Nuk ishte e vërtetë, por kurrë s’mund të isha aq i lumtur sa atë ditë…

Yt vëlla, Ferruçio, ka denoncuar faktin se Herrera, “Magjistari”, ju drogonte: dhe ju u distancuat…

E vërtetë. Na jepte një kokërr, që në e pështynim… Kështu nisi ta treste në kafe. Nuk ndjeja asnjë nevojë, por ishin praktika të asaj kohe. Ferruçio kishte shumë smirë ndaj atij Interi. Përpara se të vdiste u pajtuam. “Magjistari” (Herrera) dopingun e vërtetë e kishte psikologjik. Në dhomat e zhveshjes thoshte: “Sot fitojmë lehtë. Ata s’janë askush. Mbrojtësi i krahut është i lehtë, mesfushori një broke…”. Përpara finales së vitit 1965, për shembull, na bëri të besojmë se Eusebio, një që ka shënuar më shumë se 700 gola, ishte një i paaftë.

Por?

Ishte më i fortë se Krujfi. Kam luajtur me të Angli-Pjesa tjetër e Botës: shihte në të djathtë dhe të pasonte topin në këmbën e majtë. Por, e fituam edhe atë Kupë Kampionësh.

Eshtë e vërtetë që Herrera ju çonte te Padre Pio?

Po, por unë jam shumë besues dhe këto gjëra të grupit nuk më pëlqejnë. Kështu, i kërkova takim privat. Kisha një dyshim për të zgjidhur.

Cilin?

Kur isha fëmijë kisha bërë një premtim: isha gati të vdisja i ri, si im atë, me kusht që të bëhesha edhe unë kampion. Kur ia zbulova rrëfyesit tim më mohoi shfajësimin, më tha se ishte sakrilegj. Padre Pio buzëqeshi.

Është e vërtetë që në Botërorin 1970 fiksuat barazimin ndaj Uruguait, pra e paracaktuat?

Po. Ne kishim mundur Suedinë, ndërsa ata Izraelin. Me barazim kualifikoheshim të dy palët. Erdhi kapiteni i tyre dhe më tha: “Ne sot barazojmë, dakord!”. Lajmërova të tjerët:  ishte lehtësim për të gjithë, me përjashtim të Bertinit, që donte vetëm të fitonte, gjithmonë. Edhe stërvitoret. Nisi të vraponte dhe godiste si një i marrë. Uruguaianët ishin të xhindosur: “Ky njeri është i çmendur”.

Si lindi e famshmja stafetë me Riverën?

Përpara çerekfinaleve me Meksikën, pata probleme me stomakun. Rashë dakord me Valkarexhin që do të luaja një pjesë loje. Por, ndaj Gjermanisë isha më mirë. Kur më la në dhomat e zhveshjes përplasa këpucët në mur, thashë fjalë të pista.

Me Brazilin luajtët gjithë ndeshjen…

Në pushim po ndërrohesha, por trajneri më ndali: “Çfarë po bën? Vendos unë kush luan dhe kush jo. Tani rikthehu në fushë.

Valkarexhi ju thërriste me “ju”?

Po, me 24 orë pushim më shumë, atë ndeshje do ta fitonim. Por, ishim të shkatërruar. Disa urinonin gjak…

Brera (gazetari i famshëm italian) shkroi se në Botërorin 1974 u dërguat në dhomat e zhveshjes së Polonisë, për të kombinuar barazimin.

Po, kështu… Humbnim 2-0, ata ishin të skualifikuar. Propozova të organizoja një miqësore në Itali, fitimet do të shkonin te polakët. Fola anglisht me Deinan, kapitenin. Tha “po”. Por, nga grinta me të cilën u futën në pjesën e dytë, na la të kuptonim që s’mund të bëhej gjë.

Interi, si drejtues, ndonjë kuriozitet?

Po, marrëdhëniet me Masimo Moratin ishin të mira, por u prishëm nga Luçiano Moxhi. Ai është një gjeni, kishte nisur të bëhej fshehurazi këshilltar i Moratit dhe kjo gjë më nervozoi pa masë. Moxhi i jepte udhëzime cilët lojtarë të blinte, i bëri të besonte se do të shkonte tek Interi.

A besoni në jetën pas vdekjes?

Diçka ka. Ndjej që do të gjej tim atë. Dhe do të luajmë bashkë, si në ëndrra…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here