“Doja qendrimin te Empoli”, Veseli tregon prapaskenat e merkatos: Më thanë që nuk do luaja më

Frederik Veseli u largua nga Empoli merkaton e janarit, duke kaluar në Ligue 2 të Francës në radhët e Le Mans. Emri i tij u lidh edhe me një transferim në elitën e Turqisë, por me sa duket futbollisti i Kombëtares shqiptare bëri një tjetër zgjedhje në karrierë. Në një lidhje me emisionin “Fan Zone”, Veseli ka rrëfyer edhe prapaskenat e merkatos ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën në lidhje me Covid-19, që duket se e ka mërzitur paksa.

“Po mërzitem pak. Familjen e kam në Zvicër dhe më shumë mërzitem për ta pasi ka më tepër rrezik për infektim, sepse nuk janë mbyllur akoma të gjitha aktivitetet atje. Normal që kjo krizë shëndetësore është edhe ekonomike tani. Kemi biseduar me klubin dhe do na ulen rrogat, megjithëse nuk e dimë sa. Parësore është shëndeti, por duhet pasur parasysh edhe niveli i pagave, të mos dëmtohen ata që paguhen pak dhe t’i ndihmojmë edhe këta. Ne që jemi me ekipin e parë patjetër që do e diskutojmë një ulje të pagave.

Qëllimi im ishte të rrija në Empoli por ndodhën disa probleme në klub me drejtimin e tij. Kërkova të largohem sepse më thanë që nuk do të luaja më. Kisha ofertë nga Kina por nuk doja të largohesha nga Europa. Më erdhi pas një ofertë nga Le Mans dhe thashë pse jo të provoj një eksperiencë tjetër, qoftë edhe njerëzore. Më mirë të shkoj të luaj në Ligën e Dytë franceze se sa të rri në Empoli dhe të mos aktivizohem”, ka thënë Veseli./Sport Ekspres/