Do të çuditet edhe punonjësi i Juventusit, “Facebook-u” prishë takimin Ministri-FSHF për futbollin

Nga Klaudio Ndreca

Sa shumë ditë pritje për futbollin në Shqipëri, teksa të gjitha bizneset ishin duke u hapur dhe ende nuk kishte një përgjigje të vetme për sportin, për shkakun e pandemisë. Ndërkohë në ditën e djeshme një letër zyrtare do të mbërrinte pranë FSHF-së nga Ministria e Shëndetsisë, ku kërkohej një grup pune i përbashkët dhe të deleguar për të zgjidhur këtë çështje.

Pra pas këtyre diskutimeve nga të dyja palët, do të vendosej edhe data për nisjen e stërvitjes, por edhe për ndeshjet e para që do të zhvilloheshin pas Koronavirusit, të paktën këtë shprehte llogjika. FSHF e dërgoi sërish përgjigjen ndaj Ministrisë përkatëse, duke vendosur që të përfaqësohet me Xhianluka Stesina, mjekun e Kombëtares tonë dhe njëkohësisht punonjësin e J-Medical, qendrës shëndetësore të Juventusit, mjekun e njohur të Kukësit, Mel Ostrenin dhe Arjana Sina që është mjeke imazheriste.

Por nëse dy të fundit janë të mësuar me çuditë shqiptare, për mjekun e Kombëtares do të jetë një nga mbledhjet më të çuditshme që ka bërë në gjithë këto vite. “Stesina, eja se duhet të vendosim për rifillimin e futbollit, të caktojmë një datë”. Ky mund të jetë një nga mesazhet që i ka mbërritur pasi u zgjodh si një nga personat e zgjedhur për të folur me Ministrinë e Shëndetsisë.

Papritur do të dilte Olgerta Manastirliu në rrjetin social “Facebook” duke e bërë të qartë se stërvitja individuale do të nisë në datën 18 maj, ndërsa nuk është në plan tani që të jepet një datë për rifillimin e kampionatit. Sigurisht, lajmet e para në këto kohë kalojnë vetëm nëpërmjet këtij rrjeti social. Pyetja është: “Atëherë për çfarë vlen ky takim i pritur kaq gjatë?”.

Pra në mbledhjen e nesërme ka një ftesë që të ketë një mbledhje dy-palëshe, për një datë që është publikuar nga të gjitha mediat dhe është e ditur nga të gjithë sportdashësit. A do të jetë vallë data 18 maj, si koha kur do të nisin edhe stërvitjet individuale? Le të presim… /Sport Ekspres/