“Do luaja prapë po të mos ishte për Koronavirusin”, flet Salihi: Më vjen keq për Shehin, por…

Salihi është një nga figurat më të dashura për shqiptarët, teksa me golat e tij i ka dhuruar jo pak herë emocione të forta tifozëve kuqezi. Momentalisht është pjesë e stafit të Edi Rejas në Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa gjendet i karantinuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për “Fan Zone” në “Supersport”, Salihi tregon edhe se si po kalon kohën e tij në kushtet e izolimit.

Me humor shkodrani tregon se ka nisur të stërvitet dhe se nëse nuk do të ishte për Koronavirusin, do të ishte rikthyer të lunate futboll. Ndërkohë në vëmendje sjell edhe atë gol të veçantë, që është ngulitur në mendjen e çdo tifozi shqiptar, të shënuar kundër Norvegjisë në kualifikueset e Europianit. Salihi  tregon se kishte frikë gjatë ekzekutimit të skemës, pasi shumë herë e kishte dërguar topin jashtë gjatë stërvitjes. Në fund prek edhe Superioren, ku duket se sheh Tiranën të ngrejë titullin kampion në fund të sezonit.

Pandemia

Ishte koha e bukur dhe njerëzit nuk e morën seriozisht, duke dalë jashtë. Po përhapet me shpejtësi dhe njerëzit tani e kanë kuptuar, duke u futur në shtëpi. Përshtatja në Kaliforni? Ne jemi përshtatur në vende më të këqija, jo më këtu. Komunikoj gjithë kohën me familjen. Për fat të mirë, nënën e kam, këtu pasi kishte ardhur për një vizitë. Të afërmit janë larguar nga Shkodra dhe qëndrojnë në Velipojë, për të qenë më të sigurt”.

Ushqimi në karantinë

“Një herë më kishte marrë malli dhe e lëshova veten, por më pas ndryshova, duke nisur stërvitjen dhe duke luajtur tenis. Nëse nuk do të kishte ardhur Koronavirusi, do të isha i gatshëm për t’u rikthyer të luaja (qesh). Jam në kontakt me Edy Rejën, po flisnim për ndeshjet miqësore, duke bërë gati listën dhe gjithçka tjetër. Ndërsa tani flasim vetëm për gjendjen ku ndodhemi”.

Goli ndaj Norvegjisë

“Ka qenë një gol që më ka gëzuar shumë, pasi e kishim përgatitur skemën gjatë gjithë javës në stërvitje. Të gjithë i kishin sytë tek unë dhe prisnin golin. Ai është një nga golat e mi të preferuar. Kisha frikë, pasi e kisha dërguar shumë herë topin jashtë”.

Titulli kampion në Superiore

“Më vjen keq për Orges Shehin, e kam shok, por Tirana është në rrugën e duhur”, është shprehur Hamdi Salihi./Sport Ekspres/