Djaloshi shqiptar çudit edhe vetë organizatorët, Marash Kumbulla kalon mbrojtësit historikë të Veronës

Nga Klaudio Ndreca

Vetëm një sezon, madje edhe ky jo i plotë! Kaq i ka mjaftuar Marash Kumbullës për të fituar zemrat e të gjithëve në Serie A. Kur i vendosën në shpatulla përgjegjësinë për të luajtur papritur në elitën e futbollit të Italisë, ndërsa në Serinë B nuk ishte aktivizuar, pakkush besonte.

Por aktualisht flasim për një nga mbrojtësit më të mirë dhe më të kërkuar, ndërsa për të janë në garë ekipet më të mira në Europë. Një vlerësim i fundit ka ardhur nga tifozët e Veronës për këtë lojtar, që ka çuditur jo pak edhe vetë organizatorët e tij.

Media “Calciohellas” ka ngritur pyetjen për mbështetësit e kësaj skuadre, se kush është formacioni i tyre ideal, duke ndërthurur të shkuarën dhe të tashmen. Pra për të ndërtuar ekipin më të mirë të të gjitha kohërave tek ky ekip.

Qendra e mbrojtjes është plotësuar nga dyshja Domenico Maietta dhe Roberto Tricella, si më të votuarit nga tifozët. Menjëherë pas tyre ka ardhur Marash Kumbulla, që la pas vetes edhe Martin Laursen, tani 42-vjeç dhe që ka pasur një karrierë të spikatur, duke luajtur edhe për Milanin. “Kumbulla ka lënë mbrapa vetes “përbindëshat” e së shkuarës”, është kjo mënyra sesi “Calciohellas” njofton mbylljen e sondazhit për mbrojtjen më të mirë të Veronës ndër vite. Por një renditje të mirë ka pasur edhe Amir Rrahmani, që vinte menjëherë pas Larsen me 3.87% të votave, me rezultatet e mëposhtme që vijnë për qendërmbrojtësit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *