Djaloshi i artë Bregu: Gjithçka perfekte, për të ardhmen flasim në verë

0

Dejvi Bregu mund të quhet pa frikë zbulimi i madh i sezonit 2016/17, por vetëm për ata që nuk e njohin. Vlonjati, edhe pse vetëm 21 vjeç, ka debutuar në Superiore që në maj të vitit 2012, në një ndeshje kundër Laçit në Vlorë, pa mbushur 17 vjeç, pakkush mund të mburret me një debutim në moshë 16-vjeçare. Ndërkohë, te ekipet e moshave të Flamurtarit ishte një “superstar”, një që shënonte gola pa fund, edhe pse asnjëherë nuk ka qenë sulmues fiks. Edhe tani, në Gjirokastër, Bregu po mahnit duke luajtur në krah, në mbështetje të sulmuesit kryesor, por ka gjetur pozicionin ideal dhe që tani ka shënuar 4 gola, duke vazhduar në gjurmët e sezonit të shkuar, kur në pak muaj në Gjirokastër shënoi 7 gola dhe u bë vendimtar për ngjitjen në Superiore, sepse gjithë golat erdhën në 6 fitore. Edhe këtë sezon do të ishte e njëjta gjë, por nuk është faji i Bregut që si ndaj Partizanit, ashtu edhe në Laç, golat e shënuar prej tij nuk u mbrojtën dot deri në fund, për të vlejtur 3 pikët, ashtu si ndodhi ndaj Teutës e Tiranës. Për “Sport Ekspres”, ylli i Luftëtarit flet për të shkuarën, momentin e tij në Gjirokastër dhe planet e së ardhmes.

————–

Bregu, ke gjetur parajsën në Gjirokastër, por je një produkt puro vlonjat…

E vërtetë, jam rritur në akademinë e Flamurtarit. Për shumë kohë kam punuar me Adrian Ninin, një trajner që e kam pasur si te paratërinjtë, ashtu edhe te të rinjtë.

Debutimi tek ekipi i parë erdhi shumë shpejt, në Vlorë prisnin shumë prej teje, por diçka nuk funksionoi.

Në fakt, debutova që në moshën 16-vjeçare. Isha gjithnjë pjesë e ekipit të parë, stërvitesha aty, por në atë kohë Flamurtari ishte një ekip pretendent për pjesëmarrje në kupat e Europës, afronte lojtarë cilësorë e të mirëpaguar dhe nuk ishte e lehtë t’i jepte hapësira një lojtari kaq të ri në moshë.

A ka ndikuar presioni, pritshmëritë e mëdha edhe nga ambienti?

Po, mbase. Është e vërtetë që nga brezi im pak lojtarë kanë arritur të evidentohen, jam ndoshta “i fundit i mohikanëve”, por siç e thashë, nuk ka qenë e lehtë të gjendej hapësirë dhe unë vetëm për atë arsye kam lëvizur, që të luaj rregullisht. Unë i jam shumë mirënjohës klubit Flamurtari dhe jam shumë i lidhur me të, e kam në zemër, duke qenë vlonjat.

Këtë sezon je ndeshur dy herë, ke qenë edhe përballë tifozerisë vlonjate në Vlorë…

Emocion i veçantë, të luash në shtëpinë tënde është diçka e veçantë. Tifozët më pritën shumë mirë dhe i falënderoj. I kam respektuar dhe do t’i respektoj gjithmonë, sepse më kanë mbështetur, sidomos në sezonin 2014/2015, kur shënova shumë gola. Më kanë duartrokitur dhe do t’i duartrokas gjithmonë.

Pikërisht sezoni 2014/15 u duk se shënoi shpërthimin tënd…

Ishte Ernestino Ramela në drejtim, po luaja rregullisht e po paraqitesha mirë. Më pas erdhi Stanislav Levi, edhe me të e nisa titullar, por më pas Flamurtari pati probleme dhe nuk më eci mbarë as mua.

Po Luftëtari, si erdhi kalimi aty?

Në mesin e sezonit të shkuar kisha vendosur të ndryshoja skuadër, me synimin për të luajtur rregullisht. Luftëtari ishte një ndër klubet që u interesua për mua, kisha edhe oferta nga klube të Superiores, por i refuzova të gjitha dhe zgjodha Luftëtarin, vetëm për faktin se dëshiroja të luaja rregullisht, gjë që nuk më garantohej në Superiore. Më eci mbarë në Gjirokastër, zhvillova gjysmë sezoni shumë pozitiv, shënova 7 gola shumë të rëndësishëm.

Impakti me Superioren, tashmë si titullar?

Më dukej një realitet i ndryshëm, por kam një ego të madhe dhe kam pasur një mbështetje të madhe edhe nga familja ime, faktorë që më kanë ndihmuar t’ia dal. Jetoj në Gjirokastër, jam ambientuar shumë mirë aty, ndihem mirë.

Luftëtar i bukur, thonë të gjithë. Kush e ka meritën?

Luaj në një grup fantastik, më i miri që kam luajtur ndonjëherë, që më ndihmon shumë dhe u jam mirënjohës. Mendoj se jemi ndoshta ekipi më simpatik në Superiore, këtë nuk e them unë, por jemi vlerësuar nga të gjithë, aq më shumë që jemi duartrokitur edhe në Shkodër, një qytet ku e duan shumë futbollin dhe e vlerësojnë futbollin e bukur. Merita është e ndërthurur, duke nisur nga klubi, që bëri një punë të shkëlqyer në verë, duke ruajtur grupin e sezonit të shkuar. Klubi nuk na ka vënë nën presion për rezultate, ndërsa trajneri dhe stafi i tij serb kanë një meritë të madhe. Është një staf profesionist, që ka bërë një punë të shkëlqyer dhe trajneri ka ditur të ruajë marrëdhënie perfekte me grupin, duke i motivuar të gjithë.

Merkatoja, shumë sinjale këto javët e fundit…

Po, ka pasur sinjale, ka klube të interesuar, por edhe Luftëtari nuk është i interesuar të më shesë, edhe unë nuk kam ndërmend të lëviz. Dua ta mbyll këtë sezon me Luftëtarin, ndihem shumë mirë dhe nuk jam tunduar nga ndonjë ofertë. Kam një kontratë deri në qershor 2018, në verë me klubin të shohim.

Shqipëri, apo jashtë vendit?

Më nderon interesimi i klubeve kryesorë të vendit, por natyrisht një futbollist që ëndërron të bëhet i madh duhet të luajë jashtë. Edhe Luftëtari besoj se dëshiron të njëjtën gjë. Natyrisht, në moshën që jam, dua që të luaj sa më shumë, ky është prioriteti im.

A ndihesh gati?

Mendoj se jam gati për një eksperiencë jashtë, kam fituar eksperiencë dhe jam përmirësuar shumë edhe fizikisht, falë punës me trajnerin Milinkoviç. Gjithsesi, deri në fund të sezonit jam i përqendruar tërësisht te Luftëtari, pastaj të shohim, do ta bisedoj me presidentin dhe do të vendosim.

Raporti me golin është fantastik, si ka mundësi, për një anësor ofensiv të shënojë kaq shumë?

E vërtetë, edhe te të rinjtë e Flamurtarit kam shënuar pa fund, në dy vjet rreth 100 gola. Kam marrëdhënie të mirë me golin, jam me fat.

Shqipëria U21, ndërkaq, nuk është se të ka pasur në plan të parë…

Nuk di ç’të them dhe nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Unë jam ky që jam, për mua flasin loja e rezultatet, nuk jam aspak i shqetësuar.

Rivali më i vështirë në fushë, nga skuadrat e këtij sezoni?

Në fakt, nuk mund të bëj dallim. Katër skuadrat e kreut janë të gjitha shumë të forta, nuk di të bëj diferencim dhe i shoh të gjitha për titull, duke përfshirë Tiranën, ndaj së cilës kemi dominuar në dy ndeshje. Titullin kampion? Nuk shoh asnjë favorit, është një garë shumë e hapur.

Luftëtari duket në pozita fantastike, po Flamurtarin, si e sheh në garën për mbijetesë?

Jo, as që bëhet fjalë, Flamurtarin nuk e shoh të rrezikuar. Flamurtari ka ekip shumë të mirë dhe nuk rrezikon aspak, ka një ndër ekipet më të mira në Superiore dhe ka një trajner të shkëlqyer, i cili është shumë punëtor dhe ka ditur ta menaxhojë shumë mirë skuadrën.

Intervistoi: Blerim Jahaj

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.