Djali i presidentit dhe çuni i Gashit

0

Opinion nga Saimir Demi

Merkatoja e janarit ka tre ditë që ka përfunduar dhe më në fund ka rifilluar sërish futbolli i luajtur në fushë. Çfarë nuk na dëgjuan veshët gjatë kësaj periudhe ekstremisht të ftohtë, saqë ndonjëherë të dukej vetja shumë krenar që vazhdoje të jetoje në Shqipëri dhe ndonjëherë sikur jetoje në një ambient qesharak. Por në fund, konkluzioni i gjithçkaje ishte mbresëlënës. Pas merkatos së verës, që solli në kampionatin tonë më shumë se 50 futbollistë të huaj, në periudhën e kufizuar të dimrit mbërritën edhe 18 të tjerë. Ndërsa për t’i dhënë këtij spektakli ngjyra më të ndezura, skuadrat e mëdha i përgatitën skuadrat e reja në Antalia të Turqisë, nga ku vinin vetëm deklarata emocionuese që u referoheshin përfundimit të marrëveshjeve me futbollistë të ndryshëm, të cilët më e pakta që do të bënin ishte që do të na çudisnin. Ndërsa kur u kthyen, na thanë që duhet të prisnim edhe pak, për të shqyer më pas sytë dhe ne do të presim se nuk na kushton asgjë.

Vetëm Tirana nuk bëri merkato dhe kjo për shkak se 24 herë kampionëve të vendit iu hoq kjo e drejtë nga UEFA, ndërsa në ndeshjen e së mërkurës ndaj Kukësit, një gjë e tillë u kthye në një aksident të këndshëm. Të paktën për ata që vazhdojnë të mendojnë se u duhet dhënë më shumë mundësi të rinjve vendas, pasi ky futboll ka realisht nevojë për ta. Vetëm produktet e akademive tona mund të na ruajnë autenticitetin e këtij sporti, si dhe mund të kthehen në “mall” përfitimi. E para është shumë e rëndësishme, pasi prej kohësh kemi filluar të themi që Tirana nuk është më, pasi ka humbur shpirtin, apo Flamurtari fizionominë e dikurshme dhe këto karakteristika mund të trashëgohen vetëm nga ata, të cilët i veshin që të mitur fanellat përkatëse. Ndërsa nëse flitet dy herë në vit për merkato, logjike është që herë pas here të fitosh diçka duke shitur dhe jo gjithmonë të grisësh xhepat.

Për të gjitha këto kemi të drejtë të bëhemi entuziastë, që Doka, Domgjoni, apo Halili i shkaktuan humbjen e parë Kukësit në këtë sezon, madje duke dominuar në një pjesë të mirë të takimit. Goli i parë i sulmuesit me numër 9 të Tiranës ishte për katalog nga mënyra e interpretimit. Fillimisht një pasim perfekt i Asion Dajës, por më pas lëvizja që bëri të pavlerë daljen e mbrojtësve të fundit kuksianë, si dhe mënyra e goditjes finale ishte një mjeshtëri që nuk i korrespondonte me moshën. Ndërsa në vazhdim, nga dëshira e madhe që kanë për të të ngritur nervat me mungesën e etikës, të gjithë nxituan të informonin publikun (gjë që e kanë përsëritur me dhjetëra herë), se ky është i biri i presidentit Halili. Ndërkohë që është Grenti, një prej futbollistëve të skuadrës bardheblu, që ka personalitetin e tij, i mbërritur nga ekipet zinxhirë dhe nëse rastësisht babain e tij nuk do ta quanin Refik, ndoshta do të kishte më shumë shanse të luante në vend të Ede apo Sise, të mbërritur në shtëpinë e tij nga Nigeria dhe Bamako i Malit.

Edhe në Durrës, gjithçka që bën Artur Magani ia faturojnë çunit të Gashit, ndërkohë që njeri kaq të afërt e ka vetëm në shtëpinë e tij në Peqin. Në “Niko Dovana” futbollisti duket disi i penalizuar nga trajneri-baba, madje as që do të ishte stërvitur në atë ambient, nëse nuk do të insistonte presidenti Hasanbelliu. Ndërsa tani vazhdon ta lërë fushën përpara Bangal, megjithëse duhet të ndodhë e kundërta.

Eni Imami e rifuti në lojë Kukësin, duke shënuar një gol të mrekullueshëm dhe ka mbërritur tek skuadra që aspiron titullin e madh, pikërisht nga Dinamo e Kategorisë së Parë.

Tefik Osmani, me një gol në fund të takimit i evitoi humbjen në Kurbin kampionëve, ndërkohë që vendasit kishin kaluar të parët në avantazh me anë të Kanaparit, i cili deri një muaj më parë ka qenë pjesë e Tomorit, po një kategori më poshtë. Ndërkohë, pikërisht që andej erdhi e gjithë Besëlidhja, e cila fitoi bindshëm në Vlorë, madje nëse Smajli nuk do të ishte aq i pafat (humbi një 11-metërsh dhe shkaktoi një autogol), lezhjanët mund të shkaktonin një “Vaterlo” në stadiumin Flamurtari. Për më tepër u treguan drejtuesve vendas, fanatikë të idesë se vetëm të huajt bëjnë punë, se inferior në fushë ishte skuadra milionere e Sinan Idrizit, ndërsa vlonjatët, për të parë sërish Flamurtarin do t’u duhet të presin se çfarë mund të bëjnë Lineker Nakamuta dhe Mauricio Leal, prurjet më të reja të merkatos. Për fatin e mirë, gjithçka ndodhi në një ditë, sa për t’i dhënë të drejtë Federatës që nuk e pranoi propozimin absurd të disa presidentëve, për të shtuar numrin e futbollistëve të huaj në fushë. Kusurin që e kanë tepër, le t’i mbajnë për muhabet gjatë kafeve së mëngjesit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here