Divorci nga Zvicra, aty ku Armando mësoi profesionin “bomber”

Gjithçka nisi në Lokarno dhe përfundoi në Lugano. Plot 83 gola të realizuar në 169 ndeshje

Më në fund, shkëputje nga Zvicra, aty ku u bë i madh dhe mësoi profesionin bomber. Dhe, kurioz është fakti që karriera e tij është shënuar nga germa “L”, duke nisur me Lokarnon, Luganon dhe, tanimë, Legian e Varshavës.

Bomberi kuqezi luajti vjet sezonin e tij të gjashtë në kampionatin zviceran, që kur në vitin 2010 vendosi të largohej nga Shqipëria pas një dënimi të marrë me Elbasanin dhe, më pas, faljen. Transferimi te Lokarno. Një realitet i ri, në kategorinë e dytë, aty ku Armando e kishte më të lehtë të rritej pa presione. Sezoni i parë solli 9 gola, por ishte i dyti ai që i dha mundësi të shpërthente dhe të dallohej në sytë e shumë skuadrave të tjera. Plot 19 gola në kampionat në 27 ndeshje të luajtura, ora më shumë se 1 gol për ndeshje. Nga Lokarno te Lugano, kalimi në një tjetër realitet, shumë më të madh, aty ku që në sezonin e parë realizoi 18 gola, 1 më pak se te sezoni më i mirë në Zvicër.

Më pas, dëmtimi do të frenonte rritjen e tij, teksa do të realizonte vetëm 6 herë. Zyrihu do të paguante 500 mijë euro për ta siguruar nga Lugano dhe do të shpëtonte klubin e Renxetit nga vështirësitë ekonomike dhe rroga të prapambetura për të shlyer. Por, sulmuesi te Zyrihu hasi vështirësitë më të mëdha, duke mos u ambientuar fillimisht me trajnerin Hipia dhe më pas me drejtuesit e klubit. Sadiku kërkoi huazimin për të luajtur më shumë dhe transferimi te Vaduzi ishte i rëndësishëm në këtë aspekt. Te Vaduzi, pesë gola dhe 6 pikë që në fund do të ishin të çmuara për mbijetesën e skuadrës.

Pikërisht asaj skuadre që sot ndodhet në vend të fundit në renditjen e kampionatit dhe që e kërkoi Sadikun, por pa mund ta bindë. Ndërsa, në fund u rikthye andej nga e nisi, në Lugano, duke arritur kështu që të shënojë 9 gola dhe duke i dhënë ekipit grupet e Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *