Ditët e fundit në Korçë, flet zyrtari i Skënderbeut për Bregun: Largohet në shkurt në një vend nordik

Këto janë ditët e fundit të Dejvi Bregut te Skënderbeu. Futbollisti i njohur i Superiores është duke bërë gati valixhet për t’u larguar jashtë Shqipërisë. Gjithçka duket e mbyllur, ndërsa është edhe në interesimin e korçarëve që të bëhet një lëvizje e tillë pasi kontrata e vetë lojtarit përfundon në verë dhe Bregu do të ikte pa i sjellë asnjë përfitim Skënderbeut.

Kontaktet janë duke vazhduar dhe sipas asaj që pohon vetë drejtori ekzekutiv i klubit, Ilirjan Përmeti, do të mbyllet brenda muajit shkurt. E teksa jemi në ditët e fundit, në intervistën për “RTSH Sport”, Përmeti shton se bëhet fjalë për një klub në një vend nordik. Ndërkohë Daja është duke provuar Gripshin që të marrë vendin e Bregut te Skënderbeu.

“Jemi në pritje të marrëveshjes përfundimtare, mendojmë se brenda këtij muaji do mbyllet gjithçka, për interesin e lojtarit dhe klubit. Bregu ka qenë pjesë e rëndësishme e jona. Ai do të shkojë në vendet nordike sepse ato kanë të drejtën për ta federuar. Kemi pasur disa interesime nga klube të tjera, por dihet që gjithëkush dëshiron të marrë maksimumin për shkak se është lojtar me cilësi të mëdha.

Skënderbeu ka qenë gjithmonë në fokus dhe ka pasur oferta për lojtarë të tjerë, por varet sesi na intereson edhe neve. Për momentin është vetëm Bregu që është më i dëshiruari nga klubet e tjera”, tha Përmeti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *