“Ditën kur CAS na dha 3 pikët, mjeku më tha të lë futbollin”

Ka lënë futbollin e luajtur, por sigurisht që do të vazhdojë të kontribojë për të. i zgjedhur nga federata shqiptare e futbollit si ambasadori i Grassroots (projekti për të ndihmuar fëmijët që të nisin bazat e futbollit, por edhe për të ndihmuar diletantët apo personat mbi moshë), Lorik Cana po jeton prej disa kohësh në Tiranë, teksa ai çdo ditë ndjen dashurinë e njerëzve që e rrethojnë në ambientin ku jeton, ku pi kafe, ku del me djalin në park dhe më tej… “Çdo gjeneratë e ka atë ciklin e vetë. Njerëzit kanë akoma dashuri dhe këtë e tregojnë ende. Gjithë kohës jam në komunikim me njerëzit”, thotë Cana në një intervistë të dhënë për emisionin “Exclusive” në “Top Channel”.

Edhe pse prej kohësh është i pajisur deri me licencën A të UEFA-s, një licencë trajneri që ndoshta nuk i jep shansin të drejtojë një skuadër përfaqësuese apo një klub të kategorive të para, ai vazhdon të mendojë më shumë për një karrierë si Igli Tare… “Nuk jam nga ata lojtarë që e dija më parë se kur do ta lija karrierën dhe ndoshta të mendoja për t’u bërë trajner. Megjithatë mendoj dhe kam dëshirë që të bëhem një drejtues klubi diku jashtë, vitin e ardhshëm. Kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim, madje kjo është edhe arsyeja e fondacionit”.

Në kryeqytet – Jeta e Lorikut në Tiranë, nuk ndryshon nga ajo e shumicës prej nesh. megjithëse në një lagje të mirë të kryeqytetit, ai jeton në një pallat, me shumë familje të tjera. “Këto janë faturat e mija të ujit që duhet t’i paguaj. Duken qartë që janë disa nuk janë shumë, kurse këto janë faturat e pallatit. Bashkëjetesa nëpër pallate në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, shpresojmë që t’i paguajnë edhe këto se përndryshe do të na ndalin edhe energjinë elektrike e skam nga të dal me familjen”, tregon Loriku.

Në Tiranë ai jeton me bashkëshorten italiane Monica dhe djalin Bojken. Historia me vajzën nga Roma e ka bërë Lorikun të ndryshojë shumë nga ato ide që kishte në fillim për krijimin e një familjeje krejtësisht shqiptare. “Jemi takuar për herë të parë pas 2 muajsh që kisha shkuar në Romë. Herën e parë nuk mundëm me biseduar sepse ndryshuam vetëm numrat e telefonit më pas, pas kombëtares u takuam. Kisha të bëja me një person që nuk e dinte çfarë ndodhte me sportin. Ishte një vajzë që ishte e informuar jo mirë për ne nga mediet dhe opinioni dhe më pas mu desh t’i mësoja gjithçka për vendin tonë për kulturën. Megjithatë unë jam shumë i lidhur me familjen dhe ajo e di tashmë këtë gjë, për këtë arsye ka filluar të mësojë shqip ndërsa unë kam perfeksion italishten me Monikën. Asnjëherë nuk më ka bërë probleme për përparësinë që i kisha dhënë unë karrierës time dhe njerëzve të mi. Me kalimin e viteve kuptova q është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime, pavarësisht se ajo nuk ishte nga vendi im. Unë në fillim e kisha një ide që patjetër nusen duhet ta merrja nga vendi im por kjo më ka ndryshuar krejtësisht mendjen duke menduar që ishte personi më fantastik që kam njohur. Në disa raste ajo është bërë edhe më shqiptare se shqiptaret”, shprehet Cana.

Lajmi i hidhur – Pas ndeshjes me Rumaninë, në Euro 2016, Lorik Cana i tha “mjaft” futbollit dhe vari këpucët në gozhdë. Faji i asaj zemre të mallkuar, që rrihte shumë fort për gjakovarin, i cili rrëfen praktikisht se pse erdhi kjo ditë e tërheqjes së tij, edhe pse kishte interes dhe oferta.  “Këtë radhë kam preferuar t’i jap trupit tim kohën e nevojshme. Kam mjekët, të cilët do të më ndihmojnë. Mendoj se çdo gjë e kë në jetë momentin e vet dhe tërheqja ishte koha e duhur”. Ai shpjegon se vitin kur po përgatiste Euro 2016, mori edhe lajmin e hidhur. “Gjatë një kontrolli më të thellë në testet fizike, u vu re një çrregullim i ritmit të zemrës që unë e kisha prej vitesh dhe në atë kohë ishte nën kontroll. Pasi bëmë disa kontrolle të mëtejshme, më thanë se gjendja ishte më serioze se sa ka qenë dhe nuk po përmirësohej. Lajmin e kam marrë po atë ditë kur KAS-i vendosi të na japë 3 pikë për ngjarjen e Beogradit dhe provova dy ndjesi brenda momentit. Nga njëra anë mora një lajm të gëzueshëm sepse ne e meritonim të merrnim pjesë në Europian dhe nga ana tjetër mora një lajm që më thoshte të mos vazhdoj më të luaj. Monika ishte shtatzënë në atë kohë dhe isha vetëm me babin në Katar. Përball një lajmi si ky pritëm të merrnim disa mendime të ndryshme mjekësh dhe të gjithë patën të njëjtën ide, më mirë mos të vazhdoja të rrezikoja. Kërkesa e parë e Monikës dhe e familjarëve të mi ishte që të mos e vazhdoja e mos merrja përsipër rreziqe. Më pas i kërkova mjekëve që të më jepnin të paktën edhe një vit garanci por që do të qëndroja në ndjekje të vazhdueshme të tyre. Që të kisha dhe unë mundësi që të luaja me Shqipërinë për të marrë pjesë në Europian”, thotë Loriku.

Sëmundja –  Shenjat e para të sëmundjes Lorik Cana i kishte ndjerë kohë më parë, ishin vitet kur luante në Premier League angleze. “Më ka ndodhur pak a shumë gjatë vitit që luaja në Angli sepse kur i bëra testet mjekësore në Angli isha mirë, më pas kur bëra testet me Gallatasarajin në Stamboll por isha nën kontroll. Nuk bëhet fjalë për një sëmundje gjenetike. Mua më ka ndodhur gjatë një ftohje normale. Kisha bajame isha me temperature dhe ne vend te pushosh luaja futboll. Në atë kohë isha 26-27 vjeç. Në atë kohë nuk njihja sëmundje vetëm lojë dhe luftë. Duhet të kenë parasysh të gjithë të rinjtë që luajnë sport sepse janë para rreziqeve. Megjithatë për të pasur një jetë normale pse jo. Kam kontrolle çdo vit, kam një test specifik çdo dy vjet dhe kam një ilaç të vogël si në pleqëri që duhet ta marrë çdo darkë. Për këtë kemi vendosur që alarmi të jetë orën 9:30 edhe unë edhe gruaja. Dhe kur nuk jemi bashkë më shkruan më thotë “hej kujtohu”, por është diçka e vogël. Mund të kem aktivitet dhe duhet të kem aktivitet sportiv, por jo të lartë. Vazhdoj sa të mundem sepse parku të jep mundësinë edhe për aktivitet fizik por edhe më qa ndonjë hall. Të jep një freski mendore. Për ne që kemi qenë gjithmonë në aktivitet ne duhemi patjetër të vazhdojmë disi të merremi për aspektin mendor dhe për aspektin e shëndetit sepse ka shumë nga bashklojtarët e mi që kanë marrë shumë peshë. E dallova vetë, 6 muajt e parë pas Europianit shtova 6-7 kg. Më pas mendova të gjej një ritëm dhe mundohem të dal 3-4 herë në javë të vrapoj. Kemi fatin këtu në Tiranë që kemi liqenin që na mundëson me kushte deri diku të mira që të bëjmë aktivitet”, tregon Cana.

Problemet – Por Loriku bëhet serioz kur flet për problemet e sportit. “Vendi ynë është një vend në tranzicion dhe gjithmonë kas munguar që dikush të merret me përfshirjen e të rinjve me sportin. Ndoshta dhe me të drejtë sepse përparësi në një vend që është në tranzicion janë gjëra të tjera. Por nuk nuk e shoh normale që në vitin 2017-të Shqipëria mos të ketë një program të mirëfilltë për sportin nëpër shkolla. Ne kemi një rini të jashtëzakonshme si në sport dhënë art dhe gjëra të tilla janë një lloj serumi për të gjithë shoqërinë tonë”, thotë Cana.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *