Ditëlindja shqiptare e Serranit, fitorja ndaj Sherifit për ta festuar

Ka luajtur në Spanjë e Angli, ndër të tjera, ka eksperiencë si pak lojtarë në Superiore dhe ka luajtur edhe në kupat e Europës në karrierën e vet.

Për këtë arsye, Albert Serran nuk priste surpriza në Shqipëri, kur firmosi për Kukësin, pasi fundja ka luajtur për disa vite në Qipro, ku hallet dhe problemet janë të njëjtat.

Megjithatë, ditëlindja e 33-të, festuar sot, sërish larg familjes, me siguri ka qenë më pak e lumtura në jetën e qendërmbrojtësit spanjoll, i cili në Tiraspol shkaktoi penalltinë që i dha fitoren Sherifit.

Në nerva e sipër, pas ndeshjes presidenti Safet Gjici i kërkoi llogari me tone të larta, si e ka zakon. Drejtuesit dhe lojtarët e vjetër të Kukësit janë mësuar, Gjici kështu e ka, njërën ditë të gropos me sharje dhe tjetrën të flet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Serrani nuk ia kuptoi shqipen, por fjalët e presidentit e kanë vrarë shumë. Ka ardhur në Shqipëri për të fituar ndoshta kontratën e fundit të mirë të karrierës së tij të pasur, nuk i shkonte kurrë mendja se që në ndeshjen e parë do ta akuzonin për një gabim që ishte vërtet i pafalshëm, por zor se ndonjë futbollist e bën me dashje (natyrisht, nëse nuk ka ndonjë urdhër nga lart, si jemi mësuar në Shqipëri).

Serran ka postuar në Instagram një foto ku shfaqet i qeshur mes shokëve te Kukësi, duke shkruar: “Një ditëlindje tjetër larg shtëpisë, pa familjen dhe miqtë e mi… por nuk është se po ia kaloj keq edhe këtu”.

Një fitore dhe kualifikim kundër Sherifit të mërkurën do të fshijë gjithçka, edhe pse Serran do ta mbajë mend gjatë aventurën shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *